presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani priti në takim një delegacion të lartë shtetëror nga Emiratet e Bashkuara Arabe

Prishtinë, 13 shtator 2021 – Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të Emirateve të Bashkuara Arabe, të udhëhequr nga Kryesuesi i Departamentit të Shëndetësisë, Sheikh Abdulla bin Mohammed Al Hamed dhe Dr. Maitha bint Salem Shamsi, të cilët i ka falënderuar për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës shteti i tij që nga viti 1999.

Një falënderim të posaçëm, Presidentja Osmani e ka bërë për Spitalin e Fëmijëve “Sheikh Fatima”, i cili u përurua sot dhe është donacion i këtij shteti. Një investim të tillë, Presidentja Osmani e cilësoi tepër me rëndësi për shëndetin e fëmijëve dhe familjeve kosovare.

Presidentja Osmani dhe Sheikh Abdulla bin Mohammed Al Hamed u pajtuan që ta vazhdojnë bashkëpunimin në sferën e shëndetësisë, me trajnim të kuadrit shëndetësor dhe ofrimin e pajisjeve bashkëkohore mjekësore.

Ndërkaq Dr. Maitha bint Salem Shamsi, shfaqi gatishmërinë e shtetit të saj që të vazhdojë mbështetjen në projekte konkrete, të cilat synojnë përmirësimin e shërbimeve mjekësor për nëna dhe fëmijë.
 
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani u angazhua për thellimin e bashkëpunimit me EBA-të edhe në fusha të tjera, si fusha e bujqësisë, turizmit dhe shkëmbimit tregtar.
Fokus i veçantë në takim iu kushtua edhe mundësive për bashkëpunim kulturor, teksa të dy palët u dakorduan për organizimin e një ekspozite me punime artizanale të grave.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.