presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani priti në takim një delegacion të FMN-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) të udhëhequr nga Gabriel Di Bella, Shef i Misionit të FMN-së për Kosovë.

Me këtë rast, Presidentja Osmani falënderoi ekipin e FMN për punën dhe mbështetjen për Kosovën nëpërmjet asistencës së vazhdueshme teknike dhe financiare dhe politikave inkurajuese që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm dhe prosperitetin ekonomik.

Në takim u fol më gjerësisht për dy zhvillimet jashtëzakonisht pozitive në kuadër të bashkpëunimit me FMN, siç janë Marrëveshja Stand-By (SBA) përmes së cilës ofrohet likuiditet në rast të materializimit të sfidave në fushën e sigurisë ushqimore dhe energjetike si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, si dhe Marrëveshja për lehtësimin e Rezistencës dhe Qëndrueshmërisë (SDR) përmes së cilës do të ofrohet financim i përballueshëm për të mbështetur përpjekjet e Kosovës për zbutjen dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe prodhimin më të gjelbër të energjisë elektrike.

Me këtë rast, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë që të ketë angazhim shtesë që projektet dhe mbështetja e ofruar përmes këtyre mekanizmave të jetë sa më e prekshme dhe e kuptueshme edhe për qytetarët e vendit, me qëllim të lehtësimit të barrës dhe ballafaqimit me sfidat dhe vështirësitë ekonomike nga ana e tyre.

Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë në vend dhe rëndësinë për koordinim dhe komunikim sa më të qartë me qëllim të garantimit të implementimit të suksesshëm të projekteve të përbashkëta.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.