presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani priti në takim ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, njëherësh kryesues aktual i OSBE-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin e Jashtëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, njëherësh kryesues aktual i OSBE-së.

Në takim me ministrin Osmani, Presidentja diskutoi për bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës me OSBE-në përgjatë viteve, raportet bilaterale me Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në rajon dhe më gjerë.

Presidentja Osmani u informua mbi prioritetet e ministrit Osmani dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut si kryesues të sivjetëm të OSBE-së, si dhe diskutuan mbi mbështetjen e OSBE-së për Republikën e Kosovës në të kaluarën, dhe bashkëpunimin aktual, në veçanti, Presidentja Osmani ka përmendur vazhdimin e bashkëpunimit për fuqizimin e vajzave, grave dhe rinisë, me theks të veçantë në Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë në ballë të progresit në rajon dhe më gjerë sa i përket forcimit të sundimit të ligjit dhe demokracisë, si dhe promovimit të të drejtave të njeriut, të cilat tanimë po njihen ndërkombëtarisht. Tutje, Presidentja Osmani shprehu përkushtimin e institucioneve të Republikës për vazhdim të bashkëpunimit të ngushtë me partnerët e saj për ta avancuar rrugën euroatlantike të vendit tonë, i cili mbetet prioritet shtetëror.

Në temën e raporteve bilaterale me Republikën e Maqedonisë së Veriut, Presidentja Osmani ka vlerësuar rritjen e bashkëpunimit në mes të dy vendeve tona, si dhe përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e mëtejmë të tyre.

Presidentja Osmani dhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut Osmani kanë folur edhe për dialogun me Serbinë, me ç’rast, Presidentja Osmani ka theksuar shkeljet e vazhdueshme të Serbisë karshi marrëveshjeve të Brukselit, ndërsa ka përmendur angazhimin e Kosovës për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.