Pas ceremonisë zyrtare të pritjes, Presidentja Osmani dhe Guvernatorja Reynolds zhvilluan takim të përbashkët .
Ndërkaq, pas takimit Presidentja Osmani dhe Guvernatorja Reynolds nënshkruan marrëveshjen e marrëdhënies së shteteve simotra dhe bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Iowa-s (Shtetet e Bashkuara).
Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Presidentja Osmani dhe Guvernatorja Reynolds u deklaruan për media.
Presidentja Osmani fillimisht ka shprehur falënderimet e përzemërta për gjithë punën që kanë bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për lirimin e tre policëve të Republikës së Kosovës.
“Para se të vazhdoj, më lejoni që fillimisht të shpreh falënderimet e përzemërta për gjithë punën që kanë bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për lirimin e tre policëve të Republikës së Kosovës, të cilët po mbaheshin të kidnapuar pas aktit të agresionit që Serbia kishte kryer ndaj Republikës së Kosovës, dhe tashmë ata janë të lirë dhe duke u kthyer në Republikën e Kosovës dhe tek familjet e tyre”, ka thënë Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani edhe një herë ka shprehur ngushëllimet familjarëve dhe miqve të qytetarëve që humbëm si pasojë e vërshimeve në Pejë.
“Siç e dini Forca e Sigurisë së Kosovës dhe institucionet tjera emergjente menjëherë kanë ofruar ndihmën dhe përkrahjen e tyre të parezervë. Në këto momente tragjike për qytetarët e Pejës, mbështetja dhe përkrahja duhet të vazhdojë, në mënyrë që komuna e Pejës dhe qytetarët e saj ta përballojnë këtë situatë të rëndë dhe të rikuperohen nga kjo ngjarje tragjike që ka tronditur gjithë popullin e Kosovës”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani ka bërë të ditur se në takim me Guvernatoren Reynolds kanë diskutuar për raportet dypalëshe përgjatë viteve, dhe fushat në të cilat do të punojnë për ta thelluar tutje bashkëpunimin dhe partneritetin tonë, i cili po rritet çdo ditë e më shumë.
Sot, me nënshkrimin e Marrëveshjes në mes të Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Iowa-s, Presidentja ka thënë se dëshmuam edhe një herë përkushtimin tonë për të hapur kapituj të ri të bashkëpunimit dypalësh.
“Kjo marrëveshje do të luajë rol jetik në zhvillimin e bashkëpunimit në fushat të ndryshme të interesit të ndërsjellë, përfshirë arsimin, kulturën, turizmin, bujqësinë e tregtinë, e fushën e energjisë si dhe do të krijojë instrumente për koordinim të shtuar në mes të dy vendeve tona edhe në fushën e mbrojtjes, një bashkëpunim ky që ka qenë esencial ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Iowa National Guard. Por mbi të gjitha, marrëveshja e nënshkruar sot do t’i hapë rrugë përafrimit të drejtpërdrejt dhe përfitimeve të drejtpërdrejta të qytetarëve tanë”, ka theksuar Presidentja.
Presidentja Osmani më tej ka thënë se për Republikën e Kosovës, aleanca me Shtetet e Bashkuara vazhdon të mbetet ekzistenciale, “Qytetarët tanë janë populli më proamerikan në botë, prandaj, siç i shpreha edhe Guvernatores Reynolds më herët, në Kosovë ju gjithnjë do të gjeni miq dhe partnerë të përkushtuar”.
Presidentja potencoi marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë të rrënjosura në vlera të përbashkëta dhe në angazhimin tonë për demokraci, sundim të ligjit, si dhe për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm në vend e rajon.
“Vendosmëria e aleatëve tanë amerikanë për kauzën e Kosovës ka qenë e domosdoshme në rrugëtimin tonë drejt lirisë, pavarësisë e shtetndërtimit dhe sot, në përpjekjet tona të çdoditshme për rritje ekonomike si dhe për anëtarësim në institucionet euroatlantike. Prandaj, fuqizimin ndërkombëtar të Republikës, sikurse edhe në përmbushjen e prioritetit tonë shtetëror, që është anëtarësimi në NATO dhe BE, e shohim të mundshëm vetëm me përkrahjen dhe bashkërisht me forcat aleate strategjike, siç janë partnerët tanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë drejtim, Programi i Partneritetit Shtetëror të Iowas vazhdon të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm në zhvillimin dhe ngritjen e kapaciteteve të Forcës sonë të Sigurisë, në përputhje me objektivat dhe aspiratat tona shtetërore për anëtarësim në NATO”, ka theksuar Presidentja
Presidentja ka thënë se jemi thellësisht falënderues për qindra burra dhe gra të Gardës Kombëtare të Iowas, të cilët kanë shërbyer në Kosovë përgjatë viteve në kuadër të KFOR-it.
Presidentja Osmani dhe Guvernatorja Reynolds, gjithashtu kanë diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë dhe tejkalimin e sfidave me të cilat po përballet vendi dhe rajoni ynë.
“Kosova si gjithnjë është plotësisht e përkushtuar për paqe dhe stabilitet afatgjatë në vend dhe rajon në koordinim të plotë me aleatët tanë”, ka pohuar Presidentja.
Në fund, Presidentja Osmani ka falënderuar Guvernatoren Reynolds, për vizitën në Republikën e Kosovës dhe për mbështetjen e saj të palëkundur ndaj popullit të Kosovës dhe vendit tonë.