DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani pritet me nderime të larta shtetërore nga presidenti Pahor: Mirënjohje pafund për mbështetjen e Sllovenisë për të ardhmen evropiane të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, e shoqëruar nga zotëriu i parë, z. Prindon Sadriu dhe delegacioni, është pritur me nderime të larta shtetërore nga presidenti Borut Pahor dhe zonja e parë, znj. Tanja Pečar.

Në takimin tête-à-tête me presidentin Pahor dhe në takimet me delegacionet, Presidentja Osmani ka potencuar se marrëdhëniet e afërta ndërmjet popujve të Kosovës dhe Sllovenisë, datojnë që nga vitet e para luftës dhe janë zhvilluar hovshëm në vitet që pasuan.

Sipas Presidentes Osmani, raportet ndërshtetërore me Slloveninë do të thellohen dhe intensifikohen vazhdimisht në të ardhmen.

“Kosova dhe Sllovenia ndajnë të njëjtin vizion për paqe e prosperitet në rajon bazuar në vlerat euro-atlantike. Anëtarësimi në BE dhe NATO janë garanca kryesore për paqe në rajonin tonë. Mirënjohës pafund për mbështetjen e Sllovenisë për të ardhmen tonë evropiane, përfshirë për përkrahjen për liberalizimin e vizave si dhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka theksuar Presidentja Osmani, në takime me homologun Pahor.

Sipas Presidentes Osmani, ekziston gatishmëria e dyanshme që të punohet për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në fushën ekonomike, atë të mbrojtjes e në diplomaci, si dhe në shumë fusha të tjera.

Në takimin ndërmjet dy delegacioneve mori pjesë edhe ministrja e punëve të Jashtme, znj. Tanja Fajon, e cila është një përkrahëse e fuqishme e Kosovës.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.