presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani: Presidentit Meta i shpreha mirënjohje të thellë për mbështetjen e palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës

Prishtinë, 22 korrik 2022 – Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu ka pritur Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta me nderimet më të larta shtetërore me rastin e përmbylljes së mandatit të tij.

Pas kësaj ceremonie, Presidentja Osmani dhe Presidenti Meta kanë mbajtur takim, ndërkaq në fund u janë drejtuar mediave.

Presidentja Osmani ka thënë se me presidentin Meta kanë diskutuar për rëndësinë jetike të thellimit të marrëdhënieve vëllazërore në mes të dy shteteve tona, konsolidimin e bashkëpunimit dhe mbështetjen e ndërsjellë për të ardhmen tonë euroatlantike.

“Me Presidentin Ilir Meta, i cili po qëndron në Kosovë me rastin e përmbylljes së mandatit të tij, diskutuam për rëndësinë jetike të thellimit të marrëdhënieve vëllazërore në mes të dy shteteve tona, konsolidimin e bashkëpunimit dhe mbështetjen e ndërsjellë për të ardhmen tonë euroatlantike”, ka theksuar Presidentja Osmani.

E para e vendit i ka shprehur mirënjohje të thellë presidentit Meta për mbështetjen e palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

“Presidentit Meta i shpreha mirënjohje të thellë për mbështetjen e palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, si dhe për përpjekjet e tij të vazhdueshme për ta forcuar edhe më shumë partneritetin në mes të Kosovës dhe Shqipërisë”, ka thënë Presidentja Osmani.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.