Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë në ceremoninë e betimit të vullnetarëve të Korpusit të Paqes.
Presidentja Osmani i falenderoi ata për punën, përkushtimin dhe angazhimin në fushën e edukimit dhe atë të zhvillimit ekonomik përmes kontributit të drejtpërdrejt në projekte të rëndësishme në nivel lokal.
Vullnetarët e Korpusit të Paqes, përveç angazhimit programatik, luajnë rol në afrimin e popujve tanë përmes shkëmbimit të kulturës, eksperiencave dhe promovimit të vlerave të përbashkëta.
Duke u uruar suksese në angazhimin e tyre, Presidentja Osmani tha: “Jam e bindur se puna fisnike e vullnetarëve të Korpusit të Paqes do të vazhdojë të kontribuojë në forcimin e aleancës së pathyeshme në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.”