Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim një delegacion të përbërë nga eurodeputetja gjermane Svenja Hahn, deputeti i Parlamentit të Hamburgut, Sami Musa, përfaqësues të partisë ALDE dhe Fondacioni Friedrich Naumann.
Në takim me këtë delegacion, Presidentja Osmani diskutoi për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon.
Presidentja Osmani ka falënderuar për mbështetjen e deritashme nga Gjermania dhe ka kërkuar që ajo të vazhdojë më tej edhe në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Sipas saj, anëtarësimi në Këshillin e Evropës është në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim dhe në funksion të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Sipas Presidentes Osmani, Kosova ka shënuar përparim të ndjeshëm në procesin e reformave në sundimin e rendit dhe ligjit dhe në forcimin e demokracisë.
Më tej, Presidentja Osmani diskutoi edhe për çështjen e liberalizimit të vizave pas takimit të 13 tetorit të grupit teknik punues për vizat të Këshillit të BE-së. Presidentja Osmani theksoi se është me rëndësi që vendimmarrja politike të kryhet gjatë presidencës çeke, ndërkaq hyrja në fuqi mos të kushtëzohet me kritere të reja.
Në një pjesë të takimit, Presidentja Osmani me delegacionin gjerman ka diskutuar edhe për procesin e dialogut me Serbinë, në të cilin Kosova është palë konstruktive dhe ky proces duhet ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë.