Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, në përvjetorin e 22-të të rënies, dje ka dekoruar post mortem me urdhrin “Hero i Kosovës”, Ismet Rracin.
Sipas Presidentes Osmani, Ismet Rraci ishte patriot dhe aktivist i shquar politik i paepur për lirinë e Kosovës, shtetndërtimin e saj dhe jetën institucionale në vend.
“Ismeti u vra më 2001. Kjo ishte një goditje e rëndë jo vetëm për familjen, por për gjithë Kosovën. Ai punoi tërë jetën për të mirën e përgjithshme, ndaj vendosja e drejtësisë mbetet domosdoshmëri. Ai u vra, por jo ideali i tij për Kosovën shtet të lirë e demokratik. Urdhri “Hero i Kosovës”, është jo vetëm vlerësim institucional, por edhe nga qytetarët e Kosovës për këtë veprimtar të palodhshëm. I përjetshëm kujtimi për të!”, ka thënë Presidentja Osmani.