presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani: Institucionet e drejtësisë dhe ato të hetuesisë ta trajtojnë rastin me urgjencë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e shoqëruar nga Zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj kanë vizituar qytetarët e helmuar të cilët po trajtohen në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan.

Presidentja Osmani u ka uruar shërim të shpejtë të helmuarve, duke kërkuar me urgjencë zbardhjen e shkaqeve të cilat shkaktuan helmimin e qytetarëve.

Ajo ka theksuar se bashkë me Qeverinë e Kosovës janë të gatshëm ta japin maksimumin që Deçani ta tejkalojë këtë situatë.  

“Edhe sot edhe gjatë vizitës së ministrit Vitia, u rikonfirmua se Qeveria e Kosovës do t`i ndërmarr të gjitha masat në mënyrë që kjo qendër të furnizohet me barna të mjaftueshme për ta trajtuar këtë gjendje të qytetarëve tanë. Nga sektorët e tjerë, që kanë të bëjnë me hetimin e këtij rasti janë duke u ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm”, ka theksuar Presidentja Osmani. 

Sipas Presidentes Osmani institucionet e drejtësisë dhe ato të hetuesisë në veçanti duhet ta trajtojnë rastin me urgjencë, sepse kjo gjendje ka të bëj me shëndetin publik të qytetarëve. “Si institucione së bashku edhe me Zëvendëskryeministren e Qeverisë së Kosovës ofruam gjithë mbështetjen tonë. I ofruam mbështetje komunës për çfarëdo nevoje që ka dhe në veçanti QKMF-së, për t`u përballur me këtë situatë. Ndërkohë shpresojmë që të gjithë qytetarët e prekur nga ky helmim ta tejkalojnë këtë gjendje sa më parë”, ka thënë Presidentja Osmani.

Zëvendëskryeministra Gërvalla, ndërkaq gjithashtu ka potencuar se të gjitha institucionet përgjegjëse, duke përfshirë edhe ato të sigurisë do të jenë në dispozicion që sa më parë ta kthejnë normalitetin në komunën e Deçanit.

Ndërkaq kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, pasi që ka njoftuar për gjendjen e përgjithshme si me dhe problemet me të cilat po përballen, ka falënderuar Presidenten Osmani, e cila e ka telefonuar dhe i ka dhënë mbështetje që ditën e parë të paraqitjes së helmimeve. Ai ka shfaqur shpresën që me ndihmën e institucioneve qendrore, gjendja me të cilën po përballet kjo komunë do të tejkalohet.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.