Presidentja e Kosovës, dr. Vjosa Osmani u takua sot me senatoren e Iowa-s në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj. Joni Ernst, me të cilën bisedoi për raportet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve dhe bashkëpunimin po kaq të shkëlqyer të cilin Kosova e ka me shtetin e Iowa-s.
Presidentja Osmani e falënderoi senatoren Ernst për kontributin e saj në promovimin e shtetësisë së Kosovës dhe u shpreh shumë e lumtur që dy vendet tona po e thellojnë dita-ditës bashkëpunimin në shumë fusha.
“Përkrahja që shteti i Iowa-s, Garda Nacionale e këtij shteti i ka dhënë Forcës së Sigurisë së Kosovës është e jashtëzakonshme”, tha Presidentja Osmani. “Falë mbështetjes suaj, FSK-ja sot po shndërrohet në forcë të armatosur, të përgatitur profesionalisht, e gatshme për t’i shërbyer ruajtjes së paqes”.
Sipas saj, se partneriteti të cilin dy vendet tona e kanë ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta dhe përkushtimin e përbashkët për demokraci po thellohet vazhdimisht dhe ne presim që ai të zgjerohet në shumë fusha.
“22 vjet më parë ushtarët tuaj i shpëtuan jetët tona. 22 vjet më pas ne shohim mundësi të reja për ta thelluar edhe më tej partneritetin ndërmjet vendeve tona, duke investuar në bujqësi, arsim, ekonomi e në fusha të tjera”, tha Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani i kërkoi senators Ernst ndihmën e SHBA-ve për anëtarësim të Kosovës në NATO, ngaqë ky është synim yni strategjik.
Senatroja Ernst, ndërkaq, u shpreh e lumtur që po rikthehej në Kosovë dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Ajo theksoi po ashtu se ndihet tejet e lumtur me zhvillimin profesional të FSK-së dhe transformimin e saj në forcë të aftë për t’i shërbyer paqes në rajon dhe në botë.