presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani: Donacioni i vaksinave nga SHBA-ja, vula e miqësisë me Kosovën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë sot në ceremoninë e pranimit të kontingjentit të parë të vaksinave kundër Covid-19, donacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku të pranishëm ishin edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, Ulrika Richardson Koordinatore e Kombeve të Bashkuara për zhvillim.

Presidentja Osmani ka falënderuar  Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ritheksuar edhe njëherë rëndësinë e madhe dhe urgjencën për t’u vaksinuar secili qytetar i Republikës së Kosovës.
 
“Deri në fund të marsit, siç e dini Kosova ishte vendi i vetëm në Evropë që nuk kishte siguruar asnjë vaksinë. Sot nuk do të flas për arsyet që na sollën në një situatë të tillë, por do ta ritheksoj edhe njëherë se sa e vështirë e shqetësuese ishte situata me të cilën u përballëm në atë kohë. Pasiguria ishte e madhe,  lodhja dhe ngarkesa ishin prezente kudo,  ndaj sfidat sa vinin e shtoheshin në çdo drejtim”, ka thënë Presidentja.
 
E para e vendit, ka bërë të ditur se në muajin mars i është drejtuar me një letër Presidentit Biden me kërkesën për ndihmë.
 
“Isha e bindur që Presidenti Biden siç e ka dëshmuar historikisht do ta  kuptonte drejtë dhe do të bashkëndjente me një situatë të tillë, meqë administrata e tij e ka vaksinimin prioritet që nga dita e parë e qeverisjes dhe e kupton qartë rëndësinë e këtij procesi jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, por për çdo cep të globit”, ka theksuar Presidentja.
 
Ajo më tej ka thënë se institucionet tona, në ndërkohë, përveç kontratës me kompaninë Pfizer, siguruan edhe vaksina të tjera, por mbi të gjitha, ne morëm përgjigjen pozitive nga Presidenti Biden për mbi 500 mijë vaksina si donacion i SHBA-ve, kontingjenti i parë i të cilit u pranua të premten.
 
“Vlera e këtij donacioni vaksinash shkon përtej numrave. Sot triumfoi solidariteti dhe rikonfirmohet edhe miqësia e fortë ndërmjet  Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës. Ky veprim është vula e shprehjes sonë  popullore se “Miku i mirë shihet në ditë të vështirë”. Prandaj, faleminderit President Biden dhe gjithë Shteteve të Bashkuara, faleminderit përzemërsisht mbi të gjitha popullit amerikan! Faleminderit edhe atyre që u angazhuan për lehtësimin e procedurave për sjelljen e sasisë së parë të kontingjentit të vaksinave, në këtë rast iniciativës COVAX. Në emër të qytetarëve të Republikës u jam mirënjohëse që vazhdoni të jeni me ne në ditë të mira, por edhe në ditë të vështira!”, ka thënë Presidentja osmani.
 
Presidentja Osmani ka ftuar qytetarët e Kosovës të vaksinohen sa më parë.
 
“Vaksinimi është dhe do të jetë arma e vetme dhe më e sigurt për të mposhtur virusin! E kam thënë ditë më parë dhe po e ritheksoj se vaksinimi është akti më patriotik i kësaj kohe. Ne duhet ta bëjmë për vete, për më të dashurit tanë, për të mirën e të gjithëve, për shtetin tonë. Secili duhet të vaksinohet, sepse kjo është gjëja më e drejtë, më e duhur dhe më e sigurt për ta bërë për shëndetin tonë dhe shëndetin e përgjithshëm. Kjo është mënyra e vetme për të shpëtuar jetë, për ta zvogëluar dhimbjen, e për t`i ndihmuar të gjithë ata që po përballen me pandeminë e sidomos për ata të cilët janë në vijën e parë të frontit e po punojnë pareshtur e palodhur për të shpëtuar jetërat tona, pra stafi mjekësor”, ka shtuar Presidentja.
 
Sipas saj, vaksinimi është shansi ynë më i sigurt për të ngadhënjyer ndaj virusit.
 
“Të shpëtojmë jetë, ta shpëtojmë ekonominë tonë, ta shpëtojmë të ardhmen tonë!”, ka thënë Presidentja Osmani. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.