Diplomimin e dy kadetëve oficerë të Republikës së Kosovës, Kadet Ilirianë Bunjaku dhe Kadet Ardit Deliu, të cilët u diplomuan nga Akademia Ushtarake Mbretërore Sandhurst në Britani, njëra prej akademive ushtarake më prestigjioze në botë, Presidentja e vendit e ka quajtur Ditë krenarie.
“Sot, emri i Republikës sonë u lartësua edhe më shumë. Këta vajza dhe djem po i dëshmojnë të gjithë botës që puna, zelli e përkushtimi shpërblehen gjithmonë. Këta të rinj po na e zbardhin fytyrën e po e ngrisin shtetin tonë në piedestal”, ka thënë Presidentja.
Sipas Presidentes, vajzat e djemtë e Forcës tashmë janë të dëshmuar në çdo cep ku shkel këmba e tyre. Ata janë premtimi ynë më i madh për një të ardhme të sigurt.
Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani:
DITË KRENARIE SOT!
Sot, dy kadetë oficerë të Republikës së Kosovës, Kadet Ilirianë Bunjaku dhe Kadet Ardit Deliu diplomuan nga Akademia Ushtarake Mbretërore Sandhurst në Britani, njëra prej akademive ushtarake më prestigjioze në botë.
Sot, Nëntoger Ilirianë Bunjaku u nderua me nderin më të lartë, me çmimin “Shpata Internacionale”, që jepet për kadetin më të mirë ndërkombëtar.
Kjo është dëshmi e performancës së saj superiore në të gjitha fushat, përfshirë rezultatet akademike, shkathtësitë ushtarake, shkathtësitë në lidership, përgatitje fizike, etj.
Sot, emri i Republikës sonë u lartësua edhe më shumë. Këta vajza dhe djem po i dëshmojnë të gjithë botës që puna, zelli e përkushtimi shpërblehen gjithmonë. Këta të rinj po na e zbardhin fytyrën e po e ngrisin shtetin tonë në piedestal.
Vajzat e djemtë e Forcës tashmë janë të dëshmuar në çdo cep ku shkel këmba e tyre. Ata janë premtimi ynë më i madh për një të ardhme të sigurt. Ata janë një nga shembujt më të mirë, të cilët duhen ndjekur për të kuptuar që në jetë mundi e puna vlerësohen e shpërblehen gjithmonë.
Urime Kadet Bunjaku dhe Kadet Deliu – në rrugëtimin tuaj ushtarak, qofshi gjithmonë faqebardhë!