DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani dekoron me Medaljen Presidenciale “Shën Tereza”, kryeministrin kroat Andrej Plenkoviq dhe Spitalin “Dr.Josip Benčević” të Sllavonski Brodit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, të cilin e ka dekoruar me Medaljen Presidenciale “Shën Tereza”, me motivacionin për kujdesin, shpejtësinë e reagimit, solidaritetin dhe humanizmin e shtetit kroat në rastin e aksidentit tragjik të 25 korrikut të këtij viti në afërsi të Sllavonski Brodit, kur humbën jetën 10 qytetarë të Kosovës dhe u lënduan 26 të tjerë.

Me të njëjtën medalje, Presidentja Osmani ka dekoruar edhe Spitalin e Përgjithshëm “Dr.Josip Benčević” të Sllavonski Brodit për humanizmin, përkushtimin dhe profesionalizimin e dëshmuar në trajtimin e të aksidentuarve.

Në takim me kryeministrin Plenkoviq, Presidentja Osmani i ka vlerësuar të shkëlqyeshme marrëdhëniet me shtetin kroat dhe është angazhuar për thellimin e mëtejmë të tyre. Presidentja ka falënderuar z.Plenkoviq edhe për mbështetjen që shteti i tij i ka dhënë Kosovës me një sasi vaksinash anticovid.

Më tej, Presidentja Osmani ka theksuar se roli i Kroacisë për Kosovën është si partner strategjik rajonal dhe njëherësh edhe si mbështetëse e rrugës evropiane të vendit tonë. Ajo ka përmendur se të dy shtetet kanë intensifikuar bashkëpunimin në fushën e integrimit evropian.

Ndërkaq duke folur për situatën aktuale politikë në Kosovë e më gjerë, Presidentja Osmani ka përmendur rrezikun e destabilizimit të rajonit nga shtrirja e ndikimit rus dhe eksponentë të tyre në Serbi.

Sipas Presidentes Osmani, dialogu më Serbinë duhet të marrë fund me njohjen e ndërsjellë, teksa ka hedhur poshtë çfarëdo ideje, e cila synon trajtim jo të barabartë të Kosovës në kontekstin rajonal.

Ajo ka theksuar se Kroacia është vend mik, nga i cili Kosova pret mbështetje për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, por edhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.

Aktualisht Kosova dhe Kroacia kanë nënshkruar rreth 30 marrëveshje, memorandume dhe protokolle bashkëpunimi. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka potencuar mundësitë e bashkëpunimit më fushën e mbrojtjes, politikës së jashtme, ekonomisë, si dhe sfera të tjera të interesit të dyanshëm.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.