presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani bëhet anëtare e Këshillit të Grave Lidere Botërore

Me ftesë të kryeministres së Islandës, Katrín Jakobsdóttir, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu është bërë anëtare e Këshillit të Grave Lidere Botërore, organizatë e ndërlidhur me Fondacionin e Kombeve të Bashkuara në Uashington D.C.

Këshilli i Grave Lidere Botërore është një rrjet prej 86 grave kryeministre dhe presidente (me mandat aktual dhe mandat të mbaruar), i themeluar në vitin 1996 nga gruaja e parë presidente e zgjedhur në mënyrë demokratike në botë, Vigdís Finnbogadóttir, presidente e Islandës (1980-1996), bashkë me Mary Robinson, presidente e Irlandës (1990-1997), dhe Laura Liswood, sekretare e Përgjithshme. Sekretariati i Këshillit të Grave Lidere Botërore është i vendosur në Fondacionin e Kombeve të Bashkuara në Uashington D.C.

Aktualisht, anëtarë të kësaj organizate janë lidere aktuale dhe ish-lidere shtetesh dhe qeverish, përfshirë kryeministren e Zelandës së Re, Jucinda Ardern, presidenten e Sllovakisë, Zuzana Čaputová, ish-kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel, ish- kryeministren e Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May.

Misioni i Këshillit është t’i mobilizojë gratë udhëheqëse të nivelit më të lartë për çështje me rëndësi kritike për gratë. Nëpërmjet programeve të tij, Këshilli promovon qeverisjen e mirë dhe barazinë gjinore, dhe rritë numrin dhe dukshmërinë e grave që udhëheqin vendet e tyre. Synimi i Këshillit është ta përdorë rëndësinë simbolike të grave lidere dhe përvojën thelbësore të anëtarëve të tij për ta mbështetur pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e plotë të grave në procesin politik në nivelet më të larta, si dhe gratë lidere të ardhshme.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.