presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja në përvjetorin e masakrave në Poklek dhe në Çikatovë të Vjetër: Ajo çka kërkojmë edhe sot në këtë përvjetor është drejtësia për të gjitha viktimat

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me Zotërinë e Parë Prindon Sadriu, me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti, kanë bërë homazhe në kompleksin memorial në Poklek.

Presidentja Osmani ka thënë se sot është një prej ditëve më të trishta të përkujtimit të viktimave të luftës së fundit në Kosovë.

“Këtu në Poklek ka ngjarë një Holokaust i vërtet. Siç edhe e dini diku 54 anëtarë të familjeve Muqolli, Elshani dhe të tjerë, kryesisht gra dhe fëmijë, në fakt shumica dërrmuese prej tyre fëmijë, fillimisht janë ekzekutuar, pastaj janë djegur dy herë në mënyrë që edhe të eliminohen gjurmët e këtij krimi të llahtarshëm të forcave serbe në Kosovë”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Presidentja më tej ka thënë se kjo është një ndër dëshmitë më të fuqishme se regjimi serb kishte për qëllim shfarosjen e popullit tonë dhe kishte për qëllim që asnjë shqiptar të mos mbetet në tokën e Kosovës.

“Po ashtu edhe kjo masakër, ashtu sikurse edhe ajo në Çikatovë që do të shkojmë pas pak, dëshmojnë egërsinë e këtij regjimi dhe njëkohësisht janë edhe dëshmi e dhimbshme se si akoma nuk ka drejtësi për të gjitha këto viktima të popullit tonë. Personat që e kanë urdhëruar masakrën në Poklek dihen me emër dhe mbiemër, për ta janë mbledhur prova por për fat të keq regjimi i sotëm në Serbi nuk po vendos drejtësi dhe ata që urdhëruan këto masakra në fakt po shpërblehen me pozicione edhe më të larta në policinë e Serbisë. Kjo tregon që ajo mendësi që ka ekzistuar në vitet e 90-ta në Serbi akoma vazhdon edhe sot. Pra mendësia e mohimit të gjenocidit, mendësia që eliminon çdo mundësi për vënien para drejtësisë së kriminelëve që kanë kryer këto masakra dhe mendësia shkatërrimtare e cila ka quar drejt luftërave në ish-Jugosllavi. Ne i përkujtojmë të gjitha këto viktima, në veçanti fëmijët e vegjël, përfshirë edhe foshnjën 6 muajshe Lirie Muqolli, emri i së cilës edhe e dëshmon më së miri sakrificën e jashtëzakonshme që ka bërë populli i Kosovës për liri”, ka theksuar Presidentja.

Më pas krerët shtetëror kanë vizituar edhe shtëpinë e familjes Muqolli.

Ndërkaq, më pas Presidentja Osmani, kryetari Konjufca dhe kryeministri Kurti kanë bërë homazhe edhe në Çikatovë të Vjetër.

Presidentja Osmani tha se 17 prilli është një prej ditëve më të trishta për popullin shqiptar, është një ditë kur kemi humbur shumë njerëz tanë anekënd Kosovës, dhe edhe Çikatova e Vjetër është një dëshmi më shumë e krimeve të llahtarshme që Serbia ka kryer kundër nesh.

“Edhe për këtë masakër të 17 prillit në Çikatovë, sepse në fakt nuk ka qenë kjo e vetmja, në Çikatovë ka edhe shumë të vrarë në ditë të tjera përgjatë viteve 98-të e 99-të, por edhe kjo masakër tregon që egërsia e pushtetit serb ka qenë ndaj të gjithëve, pra nuk është kursyer askush, as pleqtë, as fëmijët, as gratë dhe janë pushkatuar në raste të caktuara dhe këtu janë djegur pa asnjë mëshirë”, ka theksuar Presidentja.

Ajo çka kërkojmë edhe sot në këtë përvjetor është drejtësia për të gjitha viktimat, ka shtuar Presidentja Osmani.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.