presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja: Masakra ndaj Familjes Deliu është dëshmi e egërsisë së forcave gjenocidale serbe

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar masakrën ndaj Familjes Deliu.

Presidentja Osmani ka thënë se masakra ndaj Familjes Deliu është dëshmi e egërsisë së forcave gjenocidale serbe, së cilës ende nuk i ka dhënë përgjigje drejtësia.

“Planifikuesit dhe ekzekutorët duhet të dalin para drejtësisë si një parakusht që aktet e tilla barbare të mos përsëriten në asnjë cep të botës”, ka thënë Presidentja Osmani. 

Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani:

Më 25 shtator 1998, Familja Deliu ishte strehuar në mal, duke kërkuar shpëtimin nga barbaria e forcave gjenocidale të regjimit të Serbisë. 

Një ditë më pas, më 26 shtator 1998, 23 anëtarë të familjes Deliu nga mosha 2-vjeçe e deri në moshën 94-vjeç u masakruan po në këtë vend.

Sot i kujtojmë me dhimbje të gjithë ata fëmijë, pleq, gra  e të rinj, të cilët u qëlluan nga afër vetëm pse ishin shqiptarë.

Sot i kujtojmë edhe dëshmorët: Valdet Xhemajli, Vesel Demaku dhe Afrim Hajdari, të cilët ranë dhe janë dëshmi e sakrificës për liri. 

Masakra ndaj Familjes Deliu është dëshmi e egërsisë së forcave gjenocidale serbe, së cilës ende nuk i ka dhënë përgjigje drejtësia.

Planifikuesit dhe ekzekutorët duhet të dalin para drejtësisë si një parakusht që aktet e tilla barbare të mos përsëriten në asnjë cep të botës. 

Paqja ka kuptim vetëm atëherë kur duke kujtuar të kaluarën, adresojmë përgjegjësinë për njerëzit tanë që u vranë. Përpjekja jonë nuk do të ndalojë asnjëherë që ata  të cilët e kryen këtë akt mizor, të dalin para drejtësisë. Këtë ua kemi borxh viktimave dhe familjeve të tyre! 

Qoftë i përjetshëm kujtimi për martirët dhe dëshmorët e Abrisë!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.