presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja: Koha që Evropa të hapë dyert për shtetin më pro-evropian në botë

Në shënimin e Ditës së Evropës, Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani ka thënë se për Kosovën, sikurse edhe për shumë shtete evropiane, shumë kohë para nesh, çmimi i arritjes së paqes ka qenë i lartë.

Sipas Presidentes kjo është arsyeja pse ne duhet të punojmë shumë që jo vetëm t`i ruajmë, por edhe t`i forcojmë këto vlera të arritura me shumë mund.
 
“Ne jemi një vend paqedashës dhe qartë me orientim pro-evropian. Ndaj aspirojmë dhe po punojmë drejtë anëtarësimit në Bashkimin Evropian, të cilën gjë do ta bëjmë me dinjitet dhe në interesin e qytetarëve, në rend të pare”, ka thënë Presidentja.
 
E para  e vendit tutje ka theksuar se tradicionalisht në këtë ditë, institucionet e BE-së i hapin dyert e tyre për publikun, “Ka ardhur koha që ato t`i hapin dyert e tyre për Kosovën”, ka thënë Presidentja Osmani.
 
Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani:
 
 
 Koha që Evropa të hapë dyert për shtetin më pro-evropian në botë
Sot Evropa feston paqen dhe unitetin në të gjithë kontinentin e vjetër. Për Kosovën, sikurse edhe për shumë shtete evropiane, shumë kohë para nesh, çmimi i arritjes së paqes ka qenë i lartë. Prandaj kjo është arsyeja pse ne duhet të punojmë shumë që jo vetëm t`i ruajmë, por edhe t`i forcojmë këto vlera të arritura me shumë mund.
Ne jemi një vend paqedashës dhe qartë me orientim pro-evropian. Ndaj aspirojmë dhe po punojmë drejtë anëtarësimit në Bashkimin Evropian, të cilën gjë do ta bëjmë me dinjitet dhe në interesin e qytetarëve, në rend të parë.
Tradicionalisht në këtë ditë, institucionet e BE-së i hapin dyert e tyre për publikun. Ka ardhur koha që ato t`i hapin dyert e tyre për Kosovën.
Besueshmëria e BE-së dhe e institucioneve të saj varet nga mbajtja e fjalës në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Kosova, ndërkaq, duhet të bëjë përgatitjet e nevojshme për aplikim për status të shtetit kandidat në momentin e volitshëm.
Ne të gjithë duam një Evropë të suksesshme, të përparuar dhe në të cilën sundon paqja! Ne kemi mbrojtur vlerat civilizuese evropiane edhe në mesjetë, duke përcaktuar një herë e përgjithmonë orientimin tonë strategjik. Ne nuk luajmë me dy karta, ndërmjet lindjes e perëndimit. Integrimi në strukturat euro-atlantike është përcaktimi ynë i përhershëm. Prandaj, le të punojmë me shtetet e tjera evropiane, sepse si një ndër popujt më të vjetër të kontinetit, BE-ja është shtëpi e jona! 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.