presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga zhvilloi takime në Pentagon, në FBI dhe me zyrtarë të tjerë amerikan

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ka zhvilluar të premten një numër takimesh me zyrtarë të lartë në SHBA-së në Vashington . Ajo takoi fillimisht, nën-sekretaren amerikane të mbrojtjes, zonjën Michele Flournoy, me të cilën ka diskutuar çështjet e bashkëpunimit të ndërsjellë.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e vlerësoi ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendosjen e paqes dhe të stabilitetit si dhe përkushtimin amerikan për paqen në Evropë. Presidentja Jahjaga tha se prania ushtarake amerikane në Kosovë dhe kampi ushtarak amerikan Bondsteel është garantues për stabilitetin në rajon dhe ka ndihmuar në vendosjen e një marrëdhënieje të fuqishme ndërmjet qytetarëve dhe ushtarëve . Ajo tha se e mirëpret vazhdimin e pranisë ushtarake amerikane në Kosovë si thelbësore për gjithë stabilitetin në Evropë. Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka për synim anëtarësimin në Partneritetin për Paqe dhe në Aleancësn Veri-Atlantike, NATO dhe ndihma e SHBA-së në këtë proces do të ishte kruciale. Nënsekretarja e mbrojtjes e SHBA-së, zonja Michele Flournoy i vlerësoi lartë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Ajo u interesua në veçanti për situatën e sigurisë në Kosovë dhe për gjendjen në veri të vendit. Ajo e konfirmoi përkushtimin e SHBA-së për paqe dhe stabilitet në Kosovë dhe në rajon. Gjatë ditës Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga u takua edhe me drejtorin e Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Robert Mueller. Në këtë takim u diskutua për modalitetet e bashkëpunimit në luftimin kundër e krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit ndërkombëtar. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u takua edhe me senatorin e SHBA-së, Mark Kirk dhe senatorin Ross Johnson. Në takim u bisedua për vazhdimin e mbështetjes amerikane për Kosovën, në veçanti përmes pranisë ushtarake.Presidentja Jahjaga ka zhvilluar takime edhe me ambasadoren për çështje të femrave, Melanne Verveer si dhe me ish-sekretaren amerikane te shtetit, Madeleine Albright. Gjatë vizitës në SHBA Presidentja Jahjaga ka dhënë edhe disa intervista ne mediat amerikane, Washington Times dhe Reuters si për seksionin shqiptar të Zërit të Amerikës. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.