presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga zhvilloi takim të përbashkët me kryeministrin Thaçi dhe udhëheqësit e institucioneve të sigurisë në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ka zhvilluar sot një takim të përbashkët me kryeministrin, zotëri Hashim Thaçi, ministrin e Punëve të Brendshme, zotëri Bajram Rexhepi, dhe me udhëheqësit e institucioneve të sigurisë në Kosovë, drejtorin e AKI-së, zotëri Bashkim Smakaj, drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, zotëri Shpend Maxhuni, kryeprokurorin e shtetit në largim, zotëri Ismet Kabashi dhe u.d të kryeprokurorit të shtetit, zotëri Sylë Hoxha, si dhe kryesuesin e Këshilli Gjyqësor të Kosovës, zotëri Enver Peci, për të diskutuar parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit dhe të radikalizmit.

Presidentja Jahjaga theksoi domosdoshmërinë e bashkërendimit të veprimeve ndërmjet të gjitha institucioneve të vendit, posaçërisht atyre që kanë përgjegjësinë për sigurinë kombëtare, me qëllim të luftimit të dukurive që po kërcënojnë stabilitetin dhe sigurinë e vendit, të rajonit dhe më gjërë.Në takim, krerët e institucioneve kërkuan nga mekanizmat përgjegjëse për sigurinë që të veprojnë mbi bazën e ligjeve në Kosovë për të pamundësuar aktivitetet, organizimin dhe çfarëdo veprimtarie radikale e ekstremiste që kërcënojnë jetën e qytetarëve jo vetëm të Kosovës dhe që synojnë shndërrimin e vendit në burim të ekstremizmit. Presidentja Jahjaga ritheksoi qëndrimin se Kosova asnjëherë nuk do të bëhet strehë dhe nuk do të shërbejë si një burim për grupet radikale e ekstremiste.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.