Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga zhvilloi sot një bisedë telefonike me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Zëvendës Presidenten e Komisionit Evropian, zonjën Federica Mogherini, para miratimit të konkluzioneve për Kosovën nga Bashkimi Evropian.
Diskutimi u përqendrua në formimin e institucioneve të reja në Kosovë dhe angazhimin për të përmbushur reformat e nevojshme për avancimin e agjendës evropiane të vendit. Presidentja Jahjaga shprehu mirënjohjen e Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për procesin e integrimit evropian të vendit. Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e reja në Kosovë janë të angazhuara për të përmbushur përgjegjësitë dhe detyrimet që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, formimin e Gjykatës Speciale të Kosovës, vazhdimin dialogut me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe reformat e tjera si MSA-në dhe përmbushjen e kritereve për procesin e liberalizimit të vizave, si pjesë e agjendës më të gjerë evropiane të Kosovës. Presidentja Jahjaga i bëri një ftesë Përfaqësueses së Lartë të BE-së Mogherini të vizitojë Kosovën. Presidentja theksoi se vizita e saj do të jetë shumë e rëndësishme për t’i takuar aktorët relevant dhe për të diskutuar rrugën përpara në temat që kanë të bëjnë me përparimin e Kosovës drejt anëtarësimit në BE.