DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga vizitoi selinë e KFOR-it

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, vizitoi sot, me ftesë të komandantit të KFOR-it, gjeneralit Salvatore Farina, selinë qendrore të forcës paqeruajtëse të NATO-s, KFOR, Camp Film City, Prishtinë, ku u prit me gardën e nderit.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, vizitoi sot, me ftesë të komandantit të KFOR-it, gjeneralit Salvatore Farina, selinë qendrore të forcës paqeruajtëse të NATO-s, KFOR, Camp Film City, Prishtinë, ku u prit me gardën e nderit. Presidentja Jahjaga dhe komandanti i KFOR-it, gjenerali Farina zhvilluan një takim të përbashkët, gjatë së cilit Gjenerali Farina e njoftoi Presidenten me situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit si dhe me zhvillimet dhe aktivitetet e KFOR-it. Komandanti i KFOR-it, gjenerali Farina, vlerësoi përparimin e arritur në fushën e sigurisë dhe të lirisë së lëvizjes, të arritura edhe me rritjen e kapaciteteve të Policisë së Kosovës dhe FSK. Presidentja Jahjaga dhe gjenerali Farina theksuan edhe rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian si dhe domosdoshmërinë e zbatimit në praktikë të marrëveshjeve të arritura. Gjatë qëndrimit në selinë e KFOR-it, Presidentja Jahjaga vizitoi edhe Dhomën e Përbashkët Operative dhe u njoftua me angazhimin e forcës paqeruajtëse në Kosovë gjatë mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme në vend dhe bashkëpunimin e KFOR-it me Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës. Presidentja e Kosovës theksoi se “zgjedhjet e parakohshme në Kosovë duhet të jenë demokratike, të ndershme, të drejta dhe gjitëpërfshirëse dhe se Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i duhet të koordinohen në mënyrë që të garantohet siguria dhe që secili qytetar të mund të ushtrojë të drejtën për votë të lirë në secilën pjesë të vendit, përfshirë edhe veriun e Kosovës”. Presidentja Jahjaga falënderoi Gjeneralin Farina për mbështetje të plotë dhe kontribut të jashtëzakonshëm që të gjithë pjesëtarët e KFOR-it, në mënyrë profesionale, kanë dhënë për më shumë se 15 vjet në Kosovë dhe theksoi se forca paqeruajtëse e NATO-s luan një rol të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por edhe në rajonin e Ballkanit. Gjenerali Farina konfirmoi dedikimin e KFOR-it për përmbushjen e misionit të NATO-s që ka për qëllim garantimin e sigurisë të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë që kanë KFOR-i dhe institucionet e Kosovës. Presidentja Jahjaga dhe komandanti i KFOR-it, gjenerali Farina, në një ceremoni vendosën kurora lulesh para monumentit të ngritur në kujtim të ushtarëve të rënë. Kjo është hera e parë që selia qendrore e KFOR-it në Prishtinë ka qenë mikëpritës i Presidentit të Kosovës që kur gjenerali Farina ka marrë komandën mbi forcat e Kosovës.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.