Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e shoqëruar nga drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, të Odës Ekonomike Amerikane dhe të Odës Ekonomike Gjermane, vazhdoi sot vizitat në komunat e Kosovës, ku takoi kryetarët e komunave dhe drejtues të tjerë lokalë.
Në takime u diskutuan sfidat e zhvillimit ekonomik, përkrahja për bizneset dhe krijimi i lehtësirave për to, me theks të veçantë tërheqja e investimeve të huaja. Gjatë takimeve me kryetarët e komunave, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomik Amerikane, Arian Zeka, dhe kryetari i Odës Ekonomike Gjermane, Albert Matoshi, shtruan problemet me të cilat përballen bizneset në përgjithësi, me theks të veçantë bizneset që përfaqësojnë këto oda. Kryetarët e komunave, ai i Malishevës Ragip Begaj, i Rahovecit Idriz Vehapi, i Suharekës Sali Asllanaj, i Shtimes Naim Ismajli dhe ai i Lipjanit Imri Ahmeti paraqitën para Presidentes dhe drejtuesve të odave ekonomike përpjekjet që bën pushteti lokal për të bashkëpunuar dhe për të krijuar kushte për bizneset vendore dhe të huaja dhe problemet e sfidat që duhet tejkaluar në këtë fushë, për të krijuar kushte edhe më të favorshme për bizneset, sidomos krijimin e kushteve për investitorët e huaj. Ata paraqitën raste dhe praktika specifike të komunave të tyre dhe projekte konkrete, për të cilat kërkohet përkrahja edhe e institucioneve në nivel qendror. Në një deklaratë bërë gjatë vizitave, Presidentja Jahjaga theksoi:Iniciativa të cilën ne e filluam dje ka vazhduar edhe sot. Ka filluar me komunën e Malishevës, tani me komunën e Rahovecit, dhe vazhdojmë me komunën e Suharekës, të Lipjanit dhe të Shtimes. Patëm një bisedë jashtëzakonisht konstruktive, së bashku me kryetarët dhe me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, të Odës Ekonomike Amerikane dhe të Odës Ekonomike Gjermane. Të gjitha ato probleme, vështirësi dhe shqetësime të cilat i dëgjuam edhe gjatë ditës së sotme dhe gjatë këtyre takimeve, janë po ato të cilat i kemi dëgjuar edhe gjatë ditës së djeshme, që kryesisht janë shqetësime që ndërlidhen me statusin e pronave në nivelet komunale, pastaj me burokracitë e tepërta të cilat po përcillen në nivelet komunale dhe qendrore, pastaj çështja e taksave në nivelet komunale, po ashtu edhe të niveleve qendrore dhe një komunikim i domosdoshëm dhe i mirëfilltë dhe më i mirë në mes nivelit lokal dhe nivelit qendror.Unë besoj që do ta kemi një pasqyrë më të qartë pas përfundimit të gjitha takimeve, në të gjitha ato komuna në të cilat këto oda ekonomike kanë aktivitete dhe kanë përfaqësitë e tyre. Besoj që do të dalim edhe me rekomandime konkrete për përmirësimin e gjendjes dhe do të ketë një tërheqje më të madhe të investimeve në vendin tonë, si dhe do të kemi një gjenerim të vendeve të punës për vitet e ardhshme.Ndërsa Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane, theksoi se sa më shumë takime që po realizohen me kryetarët e komunave aq më shumë po sigurohen që realisht kjo iniciativë është jashtëzakonisht e qëlluar. Ai gjithashtu falënderoi Presidenten që është prijëse e kësaj iniciative.“Ne jemi këtu që të flasim me kryetarët e komunave dhe të ngrisim çështje me të cilat përballen bizneset, në rend të parë të kërkojmë ndihmën e tyre që ato probleme në nivel komunal të zgjidhen, ashtu që bizneset të kenë mundësi që t’i fuqizojnë kapacitetet e tyre, edhe pse jo edhe të rrisin vende të punës”, tha ai.“Është jashtëzakonisht për keqardhje që, me gjithë gatishmërinë që po e shohim nëpër të gjitha komunat që kryetarët kanë që të mbështesin sektorin privat dhe të mbështesin edhe investitorët e brendshëm edhe investitorët potencial të jashtëm, ekzistojnë procedura burokratike që janë të parapara me ligjet në nivelin qendror. Ka një mungesë të koordinimit në mes të nivelit komunal të qeverisjes dhe nivelit qendror të qeverisjes që duhet të tejkalohet meqenëse nuk ka kuptim dhe, nëse flasim për zhvillim ekonomik, atëherë realisht ky koordinim duhet të ekzistojë edhe duhet të përmirësohet.