presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga vizitoi kuzhinën popullore në fshatin Prekoc të Novobërdës

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e shoqëruar nga ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, vizitoi sot kuzhinën popullore në fshatin Prekoc të komunës së Novobërdës.

“Isha në vizitë në kuzhinën popullore, përgëzova Svetllanen dhe gjithë stafin që punon në këtë qendër këtu dhe i falënderova për punën dhe përkushtimin e  tyre të vazhdueshëm, që ofrojnë në këtë qendër”, theksoi me këtë rast Presidentja Jahjaga.“U dhashë edhe përkrahjen dhe mbështetjen time të fuqishme si presidente e Republikës së Kosovës, për një punë dhe një mision human të cilin e bëjnë duke u dalë në ndihmë në ofrimin e çështjeve elementare që nevojiten për një familje apo për njerëzit që janë në nevojë”, shtoi Presidentja Jahjaga.E pyetur a do ta ndihmojë këtë qendër, Presidentja Jahjaga u shpreh se “vet prezenca ime është përkrahje institucionale si presidente e Republikës së Kosovës për institucionet e tilla”.Në vazhdim, Presidentja Jahjaga iu përgjigj interesimit të mediave rreth dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që po organizohet në Bruksel.E pyetur rreth raundit të ri të dialogut që do ta mbahet nesër, respektivisht nëse është e nevojshme që të mbahet ky dialog dhe të arrihet ndonjë marrëveshje, Presidentja Jahjaga u përgjigj:  “Unë disa herë e kam përmendur dhe dua ta ritheksoj përsëri, sepse dialogu nuk ka alternativë tjetër për procesin e mëtutjeshëm të normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dy shtete fqinje, të cilat nuk e kanë pasur një të kaluar të lehtë. Por, duhet ta ndërtojmë një të ardhme, e cila është në funksion të qytetarëve dhe të funksionimit të jetës së qytetarëve nga të dyja anët e kufirit, por gjithsesi se do të ndikojë në normalizimin e plotë apo qetësimin e plotë të gjithë rajonit dhe gjithsesi se i kontribuon edhe agjendës evropiane të të dyja shteteve tona”.E pyetur a pret që të arrihet një marrëveshje mes dy shteteve, Presidentja Jahjaga u përgjigj: “Marrëveshja është çështje e pashmangshme dhe është e nevojshme që të arrihet, sepse është e vetmja mënyrë e cila do të çojë drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve tona”.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.