presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga vizitoi Krushën e Madhe dhe Rahovecin

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga vizitoi gjatë ditës së sotme Krushën e Madhe dhe komunën e Rahovecit.

Fillimisht ajo vendosi një buçetë lulesh në memorialin te varrezat e fshatit Krushë e Vogël, ndërsa buçetë lulesh vendosi edhe në memorialin në varrezat e Krushës së Madhe.Më pas, Presidentja Jahjaga vizitoi shkollën fillore “Bajram Curri” në këtë fshat, ku u njoftua me punën dhe procesin edukativ-arsimor që bëjnë mësimdhënësit dhe nxënësit e kësaj shkolle. Ajo gjithashtu vizitoi edhe Punëtorinë e Grave në Krushë të Madhe. Në bashkëbisedim me gratë, ajo u njoftua për punën që ato bëjnë dhe për problemet me të cilat ballafaqohen. Presidentja vizitoi edhe kompaninë “Stone Castle”.Në një deklaratë bërë gjatë vizitës, Presidentja Jahjaga tha se ka ardhur në Krushë që të shpreh respektin e saj personal por edhe institucional, për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.Ajo veçanërisht lavdëroi punën e mirë të bërë në punëtorinë e zonjës Fahrije Hoti.“Veçanërisht jam e kënaqur për një punë shumë të mirë e cila është bërë këtu në korporatën e znj. Fahrije, që është një sukses, një tregim i suksesit të një biznesi. Para dy viteve, kur kam qenë për herë të parë, ka filluar me dy-tre gra punëtore, me një vend jashtëzakonisht të vogël, kurse tani ka mbi 25 gra, të cilat punojnë këtu dhe ky është jashtëzakonisht një mesazh i mirë i një pune dhe një përkushtimi të një gruaje sikurse është zonja Fahrije, por edhe shumë grave këtu për të cilat unë shpeshherë kam thënë se janë simboli i rezistencës dhe i sakrificës. Ato, gjithë atë vuajtje dhe gjithë atë mundim që e kanë pasur sidomos gjatë vitit 1998 dhe 1999, e kanë kthyer në energjinë e zhvillimit së pari të familjeve të tyre, së dyti të komunës dhe të vendit tonë”, tha Presidentja Jahjaga, duke shtuar se ajo e ka përkrahur dhe do ta përkrahë në vazhdimësi zonjën Fahrije.“Jemi në prag të 8 Marsit, që njihet si ditë e sakrificës së grave duke kërkuar të drejtat e tyre dhe nga këtu të përçoj mesazhin, duke ju uruar festën e 8 marsit. Tani është një sakrificë tjetër e grave, të cilat duhet të ngrihen dhe ta avancojnë veten përmes proceseve të bizneseve”, theksoi Presidentja Atifete Jahjaga.Pas Krushës së Madhe, Presidentja Jahjaga vizitoi edhe komunën e Rahovecit. Fillimisht ajo zhvilloi një takim me kryetarin e komunës, Idriz Vehapi, në takim me të cilin u bisedua për zhvillimet aktuale në komunë, me theks në migrimin ilegal të qytetarëve. Kryetari i Rahovecit e njoftoi Presidenten me angazhimet dhe punën që po bëhet në këtë komunë dhe me përpjekjet për një zhvillim ekonomik. Ai gjithashtu foli edhe për sfidat dhe problemet me të cilat përballet komuna e Rahovecit posaçërisht me nivelin e papunësisë.E shoqëruar nga kryetari i komunës, Presidentja Jahjaga vizitoi teqenë në Rahovec, ndërsa më pas, gjatë ecjes nëpër qytet, bisedoi me qytetarët dhe u njoftua me problemet dhe preokupimet e tyre. Gjithashtu, Presidentja Jahjaga vizitoi edhe “Bodrumin e vjetër”.Në një deklaratë bërë pas vizitës, Presidentja Jahjaga tha se gjatë takimit me kryetarin e komunës dhe udhëheqjen komunale, si dhe gjatë vizitës në biznese e gjatë bashkëbisedimit me qytetarë u njoftua me të gjitha problemet, hallet, telashet me të cilat ballafaqohet edhe komuna e Rahovecit.Ajo veçoi se procesi i shtetndërtimit të shtetit tonë është një proces i vazhdueshëm, proces në të cilin ne kemi nevojë për ndihmën dhe përkrahjen e qytetarëve tanë, kemi nevojë për ngritjen e besimit të qytetarëve. “Kosova ka potenciale të jashtëzakonshme, Kosova ka resurse të jashtëzakonshme, duke përfshirë këtu edhe komunën e Rahovecit. Potenciali më i madh për neve është rinia e Kosovës, janë djemtë dhe vajzat e shtetit tonë, që janë potenciali dhe pasuria më e madhe. Gjithë atë energji dhe gjithë atë potencial, gjithë atë elan, ne duhet ta orientojmë në zhvillimin e gjithmbarshëm të shtetit tonë, sepse perspektiva jonë është një perspektivë e hapur. Ne tanimë e kemi orientuar vetveten drejt procesit të integrimeve evropiane dhe euroatlantike dhe në këtë rrugë ne, përkundër reformave të domosdoshme dhe të dhimbshme që i kemi, na duhet një punë e përbashkët në mes të qytetarëve tanë dhe institucioneve të vendit”, tha Presidentja Jahjaga. “Ne nuk kemi kohë të humbim besimin ndaj institucioneve, por ne duhet të ndërtojmë besimin e institucioneve, kurdo që është për të lavdëruar, të lavdërohemi, kurdo që është të kritikohemi duhet të bëhen kritika, por neve duhet të orientojmë gjithë elanin tanë në zhvillimin e shtetit tonë”, theksoi Presidentja Atifete Jahjaga. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.