DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga vizitoi komunitetin kroat në Janjevë

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga ka vizituar sot Janjevën, ku është njoftuar me pozitën që ka komuniteti kroat që jeton në këtë vendbanim, me problemet dhe me hallet e tyre.

Në vizitë ajo është shoqëruar nga z.Slobodan Petroviç, zëvendëskryeministër e ministër i Pushtetit Lokal, nga nënkryetari i komunës së Lipjanit nga kryetari i Janjevës  e zyrtarë të tjerë. Ishte i pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Kroacisë në vendin tonë, z.Zoran Vodopija. Pasi u prit nga famullitari  Don Matej Paliq dhe vizitoi kishën katolike “Shën Nikolla”, Presidentja Jahjaga takoi qytetarë kroatë që kishin dalë për ta përshëndetur atë, duke iu drejtuar  qytetarëve të pranishëm me një fjalë rasti. “Unë sot vi këtu me një lajm shumë të mirë. Jemi pajtuar me kryeministrin e Kosovës që komuniteti kroat do të jetë komunitet kushtetues, i përcaktuar me  Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe do të ketë një vend të rezervuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha fillimisht Presidentja Jahjaga. Kam ardhur sot këtu që me ju të bashkëbisedojmë dhe të shohim mënyrën se si mund të ecim përpara, se si mund të kontribuojmë në zhvillimin e Janjevës, se si do të kontribuojmë, në bashkëpunim me ju, në përmirësimin e pozitës së qytetarëve në këtë komunë, shtoi ajo. Presidentja Jahjaga tha në vazhdim se Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve, shtet i ndërtuar mbi parimin qytetar, ku të gjithë qytetarët kanë të drejta e liri të barabarta, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre. “Ju kroatët me shekuj keni dhënë një kontribut të madh në zhvillimin, përparimin e vendit e po ashtu keni dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në të gjitha proceset e avancimi dhe proceset civilizues të këtij vendi. Kërkoj nga ju që të vazhdoni kontributin tuaj dhe e keni dhe do ta keni përkrahjen time të fuqishme, sepse jeni ura e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë”, tha Presidentja Jahjaga. Në vazhdim, Presidentja Jahjaga dhe zyrtarët e tjerë qeveritarë dhe komunalë kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesit komunitetit kroat të Janjevës, ku janë njohur me problemet e tyre dhe kanë diskutuar për mënyrën e kapërcimit të tyre dhe zhvillimit të këtij lokaliteti. U theksua problemi i shpërnguljes së vazhdueshme të kroatëve, për në Kroaci, problemi i papunësisë së madhe të kroatëve në Kosovë, si dhe problemi i dëmtimit dhe plaçkitjes së pronës, të  shtëpive dhe pasurisë së tyre, duke theksuar faktin se vetëm në Janjevë tash ka mbi katërqind shtëpi dhe prona që kanë mbetur të zbrazëta sepse pronarët e tyre janë shpërngulur në Kroaci. U theksua se investimi në infrastrukturën e Janjevës do të ndikonte që shpërngulja të ndalej dhe të nxitej kthimi i banorëve në pronat e tyre për të jetuar dhe për të punuar në Kosovë. Pas takimit, Presidentja Jahjaga dhe zyrtarët që e shoqëruan vizituan lokalitetin e Janjevës, shtëpinë e at Shtjefën Gjeçovit, e cila është në fazën e renovimit, si dhe takuan qytetarët dhe biseduan me ta. Prifti në Kishën e Janjevës, Don Matej Paliq, duke folur në emër të banorëve  kroatë të Janjevës e ka falënderuar Presidenten Jahjaga për vizitën dhe ka shprehur besimin se institucionet qendrore dhe ato lokale do ta ndihmojnë këtë lokalitet, për të mundësuar kushte jetese më të mira për qytetarët.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.