presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga vizitoi komunën e Gjilanit

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, pas vizitës në komunën e Podujevës, vizitoi sot komunën edhe komunën e Gjilanit.

Në një takim me kryetarin e komunës, Lutfi Haziri, Presidentja Jahjaga u njoftua për gjendjen në komunën e Gjilanit, me theks të veçantë për fenomenin e migrimit ilegal të qytetarëve, që ka prekur edhe këtë komunë, por që ka shënuar zvogëlim ditëve të fundit. Presidentja Atifete Jahjaga gjithashtu bashkëbisedoi me qytetarë të shumtë dhe dëgjoi rrëfimet për gjendjen e tyre, problemet dhe hallet që kanë, për arsyet e largimit të shumë qytetarëve nga vendi. Ajo edhe me këtë rast përsëriti se rruga e ikjes nuk është rrugë e lehtë, është rrugë me shumë vështirësi, është një rrugë e pagarantuar dhe e pasigurt. Ne si institucione gjithmonë kemi dhënë gjithë angazhimin dhe përkushtimin tonë që të punojmë për mirëqenien e qytetarëve tanë, për ndërtimin e jetës më të mirë të qytetarëve, që të kthejmë besimin e tyre, që t’jua kthejmë dinjitetin qytetarëve tanë, theksoi Presidentja Jahjaga.  Presidentja Jahjaga shtoi se kjo rrugë e ikjes nuk po përçon një mesazh të mirë për qytetarët, veçanërisht për rininë, që është pasuria më e madhe për shtetin tonë. Ajo tha se veçanërisht këtë rrugë e bëjnë edhe më të pasigurt deklarimet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian se të gjithë qytetarët do të kthehen në Kosovë. Rruga e ikjes nuk është rrugë e mirë, nuk është e sigurt. Qytetarët duhet të rrinë këtu. E ardhmja e tyre është këtu dhe së bashku me institucionet lokale dhe qendrore  të vazhdojmë procesin e mëtutjeshëm të shtetndërtimit. Vetëm së bashku ne mund ta arrijmë synimin tonë, që është integrimi në institucionet euroatlantike, theksoi Presidentja Jahjaga, duke iu drejtuar qytetarëve të Gjilanit dhe të gjithë Kosovës.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.