Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, vizitoi sot Kolegjin Dartmouth të Hanoverit në SHBA. Ajo u prit nga Presidenti i Dartmouth, zotëri Jim Young Kim, i cili në mirëseardhjen e tij për Presidenten tha se ajo po dëshmon cilësi të lartë të lidershipit. Ai tha se Kolegji Dartmouth dhe Kosova kanë një histori të bashkëpunimit që prej periudhës së pasluftës në Kosovë dhe theksoi nevojën e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit përmes shkëmbimit të studentëve dhe të profesorëve si dhe fillimit të një strategjie për arsimin e lartë në fusha të ndryshme, posaçërisht në fushën e mjekësisë. Zotëri Young Kim tha se Kosova është një prej partnerëve të Dartmouth dhe e siguroi Presidenten Jahjaga për vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjellë edhe në të ardhmen.
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ka shprehur mirënjohjen për ndihmën që Dartmouth i ka dhënë qytetarëve të Kosovës në periudha të ndryshme që prej vitit 1999. Ajo e falënderoi Kolegjin Dartmouth për ndihmën që ka ofruar në fushën e shëndetësisë nëpërmjet shkëmbimeve të mjekëve dhe studentëve të Universitetit të Prishtinës. Presidentja Jahjaga tha se është i rëndësishëm bashkëpunimi i Kolegjit Dartmouth me institucionet e arsimit të lartë në Kosovë, nga i cili do të mund të përfitojnë studentët e të dyja institucioneve. Ajo ofroi gjithë mbështetjen e saj për vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjellë. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, në kuadër të vizitës në Kolegjin Dartmouth takoi anëtarët e Kolegjit, në një drekë pune të organizuar nga kryesuesja e Departamentit të Studimeve për Gjininë dhe Gruan, Annabel Martin, ku u diskutuan çështje të lidershipit dhe të rolit të gruas në shoqëri. Presidentja Jahjaga vlerësoi rolin që ka luajtur dhe vazhdon ta luaj gruaja në Kosovë dhe theksoi nevojën e mbështetjes për gjithë punën e saj. Presidentja Jahjaga tha se është e domosdoshme që të drejtat e gruas të respektohen dhe të avancohen më tej dhe se ndryshimet në shoqëri duhet të bëhen përmes punës së përbashkët të të dyja gjinive, për të forcuar rolin e gruas në shoqëri. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, takoi edhe një grup studentësh të Kolegjit Dartmouth me të cilët bisedoi për sfidat me të cilat përballen të rinjtë në Kosovë. Ajo theksoi nevojën e shkëmbimit të përvojave ndërmjet Dartmouth dhe Kosovës si një mundësi e mirë për të njohur nga afër kulturën, historinë dhe procesin e shtet ndërtimit nëpër të cilin po kalon Kosova. Gjatë ditës së sotme, Presidentja Jahjaga do të mbajë një ligjëratë në Kolegjin Dartmouth, me temën “Sukseset dhe sfidat e procesit të shtetndërtimit në Kosovë”.