Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga vizitoi sot selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, me ç’rast udhëheqjes së këtij institucioni dhe gjithë besimtarëve u shprehu urimet më të mira për festën e Kurban Bajramit, duke u dëshiruar që këtë ditë të madhe ta kalojnë me familjet, me të afërmit dhe me miqtë, në harmoni, në mirëkuptim, në solidarizim dhe në ndihmë të njëri-tjetrit.
Në këtë ditë të shprehim kujdesin ndaj gjithë njerëzve, ta shtrijmë dorën e mirësisë dhe t’ju japim gëzimin të gjitha familjeve që kanë nevojë, që t’ju gjendemi atyre pranë dhe t’i ndajmë me ta të mirat që na ka dhuruar Zoti, u shpreh Presidentja Jahjaga. Duke folur më tej, Presidentja Jahjaga u shpreh se Bashkësia Islame e Kosovës ka luajtur dhe po luan një rol të rëndësishëm në të gjitha proceset drejt përparimit të popullit dhe vendit tonë. Ne jemi vend i tolerancës, i mirëkuptimit, i bashkëjetesës dhe i respektimit të njëri-tjetrit, shtoi ajo. Kjo festë të na gjejë bashkë, të përkushtuar, të angazhuar dhe të vendosur që t’i përballojmë të gjitha sfidat që na dalin përpara. Ta bëjmë Kosovën një vend të përparuar me një të ardhme të sigurt veriatlantike, tha Presidentja Jahjaga. Në këtë ditë të kujtojmë dhe të nderojmë ata që u bënë martirë për Lirinë tonë. Të respektojmë miqtë që na u gjetën në ditët e vështira. Me shpirt dhe zemër të pastër. Juve të nderuar udhëheqës të Bashkësisë Islame, gjithë qytetarëve të Kosovës, të gjithë besimtareve të fesë Islame, edhe një herë ju shpreh urimet e përzemërta për këtë festë që e shpreh përkushtimin, dashurinë njerëzore, solidaritetin dhe dinjitetin e njeriut, theksoi Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga gjatë vizitës në selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës.