Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, i dërgoi një telegram urimi shkrimtarit Dritëro Agolli, me rastin e 80-vjetorit të lindjes.
Në telegram thuhet:I dashur Dritëro, me rastin e 80-vjetorit të lindjes, në emrin tim dhe të popullit të Republikës së Kosovës, ju përcjell urimet më të mira. Breza të tërë shqiptarësh, kudo ku flitet e shkruhet shqip, duke lexuar krijimtarinë e juaj letrare, kanë gjetur te ajo dijen, urtësinë, porositë, mjeshtërinë e penës suaj. Duke qenë i pranishëm në jetën letrare dhe në jetën publike për gjithë këto decenie, Ju jeni shndërruar në një figurë të pranuar dhe shumë të dashur për të gjithë, në një njeri me vizion të qartë dhe të qëndrueshëm.Në këtë përvjetor shumë të rëndësishëm për të gjithë ne, z. Agolli, ju uroj shëndet të mirë, gëzime e lumturi familjare dhe shumë vepra të tjera nga pena juaj.Me respekt,Atifete Jahjaga,Presidente e Republikës së Kosovës