presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga u takua me UD i Presidentit të Libisë, Agila Saleh

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga u takua sot në Nju Jork me Presidentin e Këshillit të Deputetëve dhe Ushtruesin e Detyrës të Presidentit të Libisë, zotëri Agila Saleh. Në këtë takim, Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Saleh biseduan për thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve dhe përkrahjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Libisë.

Presidentja Jahjaga vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe kërkoi përkrahjen e Libisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës në kontinentin afrikan si dhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në UNESCO.
 
UD i Presidentit të Libisë Saleh theksoi se Libia do të vazhdojë bashkërendimin e përafërt me Kosovën për ta mbështetur atë në arenën ndërkombëtare si dhe për të përkrahur procesin e anëtarësimit në UNESCO. Ai theksoi se Kosova është shembull i progresit të vendeve që dalin nga konflikti. Ai kërkoi gjithashtu ndihmën e Kosovës në këmbimin e përvojave të shtetndërtimit dhe bashkëjetesës, duke vlerësuar Kushtetutën e Kosovës si model për hartimin e  Kushtetutës së re të Libisë.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.