presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga u takua me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e shoqëruar nga kryeministri Hashim Thaçi, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, ministri jashtëm Enver Hoxhaj dhe ministrja për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku, u takua me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon në selinë e organizatës botërore ne New York. Në delegacionin e Kosovës mori pjesë edhe konsuli i përgjithshëm Bekim Sejdiu.

Presidentja Jahjaga e vlerësoi si të rëndësishme vizitën e sekretarit të përgjithshëm në Kosovë këtë verë duke theksuar se Kosova është një rrëfim i suksesit të përbashkët, edhe i partnerëve ndërkombëtarë, që kanë punuar me qytetarët dhe institucionet e Kosovës në shtet ndërtimin e saj. Duke folur për përmbylljen e fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, Presidentja Jahjaga tha se institucionet e Kosovës kanë marrë përgjegjësitë e plota duke siguruar, njëkohësisht, se parimet themelore të përcaktuara me Kushtetutë dhe me Deklaratën e Pavarësisë do të zbatohen për të gjitha komunitetet. Ajo tha se Kosova ka hapur një kapitull të ri si kontribuuese për paqen dhe stabilitetin në rajon. Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka vizionin për një Ballkan demokratik, paqesor dhe të përparuar dhe se kjo mund të arrihet përmes integrimit në strukturat euro-atlantike, si një e ardhme e përbashkët e të gjitha vendeve të Ballkanit, që do të siguronte paqen në rajon. Presidentja Jahjaga në takim me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon foli edhe për dialogun me Republikën e Serbisë duke theksuar se dialogu nuk është rruga më e mirë por rruga e vetme për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe për të vendosur politikat e fqinjësisë së mirë si një parakusht për integrim në BE. Ajo tha Republika e Serbisë duhet të zbatojë marrëveshjet e arritura në Bruksel që do të mundësonte vazhdimin e procesit të dialogut për çështjet teknike të interesit të përbashkët. Duke folur për gjendjen në tri komunat  në veri të territorit të Republikës së Kosovës, presidentja Jahjaga tha se strukturat ilegale dhe kriminale serbe, të mbështetura nga institucionet e Serbisë, po mbajnë peng qytetarët serbë në këtë pjesë dhe po e shkelin integritetin territorial të vendit. Ajo tha se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara që të dialogojnë me qytetarët serbë në këtë pjesë të vendit për të gjetur zgjidhje për të gjitha çështjet dhe për të ndihmuar në inkuadrimin e tyre në jetën institucionale të Republikës së Kosovës. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon e falënderoi presidenten Jahjaga për mikpritjen që i është organizuar në Kosovë gjatë qëndrimit këtë verë, dhe theksoi rëndësinë e kësaj vizite dhe mundësinë për t’u njohur me situatën në terren. Ai tha se për Kosovën është me rëndësi ruajtja e  stabilitetit dhe theksoi se të gjitha çështjet duhet të zgjidhen në mënyrë të qetë dhe paqësore. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, tha se i gjithë rajoni duhet të shikojë kah integrimet euroatlantike dhe të punojë më shumë në ruajtjen e stabilitetit dhe të paqes dhe vlerësoi rolin që po luan BE-ja në gjithë rajonin e Ballkanit.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.