presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga u takua me Presidentin e Sllovenisë, Danilo Turk

Varshavë, 28 maj 2011 – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga u takua sot në Varshavë me Presidentin e Republikës së Sllovenisë, Danilo Turk.

Presidentja Jahjaga falënderoi Presidentin Turk për përkrahjen e vazhdueshme që Sllovenia i ka dhënë dhe po i jep vendit tonë. Ajo theksoi se të dy vendet tona kanë një bashkëpunim shumë të mirë në të gjitha fushat dhe sidomos në ekonomi, ku investimet sllovene në Kosovë janë në shkallë të lartë. Presidentja Jahjaga theksoi në takim synimin e vendit tonë për ecjen sa më shpejt drejt procesit të integrimeve evropiane dhe përfshirjen në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Në këtë plan, ajo tha se Kosova mund të përfitojë shumë nga përvoja sllovene. Nga ana e tij, Presidenti i Sllovenisë Danilo Turk uroi edhe një herë zonjën Jahjaga për zgjedhjen e saj Presidente e Republikës së Kosovës.Ai tha se Kosova dhe Sllovenia janë dy vende mike që kanë marrëdhënie shumë të mira dhe këto marrëdhënie do t’i zhvillojnë edhe më tej në të mirë të qytetarëve të të dy vendeve dhe rajonit në përgjithësi. Gjithashtu, Presidenti Danilo Turk e ftoi Presidenten Jahjaga për vizitë zyrtare në Republikën e Sllovenisë. Edhe Presidenti Turk theksoi bashkëpunimin shumë të mirë mes bizneseve të të dy vendeve dhe u shpreh se Sllovenia mund të ndihmojë në rritjen e shkallës së eksportit të produkteve kosovare.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.