presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga u takua me Presidentin e Komisionit Evropian, zotëri Jose Manual Barroso

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, në kuadër të vizitës zyrtare në Bruksel, u takua sot me Presidentin e Komisionit Evropian, zotëri Jose Manual Barroso. Në takim mori pjesë edhe Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, zotëri Stefan Fule, dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Kosovën, zotëri Samuel Zbogar.

Presidentja Jahjaga gjatë vizitës në Bruksel dhe takimeve me zyrtarët e lartë evropian shoqërohet nga ambasadori i Republikës së Kosovës, zotëri Ilir Dugolli.
 
Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Barroso diskutuan për perspektivën evropiane të Kosovës si dhe avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Ata biseduan për nevojën e thellimit të reformave në Kosovë, në fusha të ndryshme, përfshirë atë të sundimit të ligjit dhe për integrimin e komuniteteve. Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Barroso vlerësuan se integrimi evropian për tërë rajonin e Ballkanit dhe për Kosovën është e vetmja alternativë që siguron stabilitet dhe paqe afatgjate.
 
Të dy bashkëbiseduesit folën edhe për vazhdimin e pranisë së misionit të EULEX-it, edhe pas përfundimit të fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë si dhe për dialogun e strukturuar për sundimin e ligjit, që po zhvillohet ndërmjet BE-së dhe Republikës së Kosovës.
 
Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Barroso theksuan se dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, ka nxjerrë marrëveshje ndërmjet palëve të cilat duhet të zbatohen, me qëllim të lehtësimit të jetës së qytetarëve të të dyja vendeve.
 
Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Barroso pas takimit mbajtën një konferencë me gazetarë. Në vazhdim po e  japim të plotë deklaratën për media të Presidentes Jahjaga. 
 
I nderuari President Barroso,
 
Të nderuar gazetarë,
 
Me Presidentin e Komisionit Evropian, zotëri Barroso, patëm një bashkëbisedim të mirë dhe përmbajtësor. Ne trajtuam temat konkrete dhe obligimet e ndërsjella në procesin e Republikës së Kosovës për t’u bërë vend anëtar i BE-së.
 
Siç e dini nga 27 vendet anëtare të BE-së, pesë prej tyre ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Arsyet janë të brendshme edhe pse Kosova është një rast sui generis. Unë i inkurajoj këto shtete që të ndjekin shembullin e shumicës së vendeve anëtare të BE-së dhe përmbahen përkushtimit të perspektivës konkrete evropiane për Ballkanin Perëndimor.
 
Kosova ka shënuar përparime në agjendën e saj evropiane duke marrë parasysh se nga viti 2008 është shtet sovran dhe i pavarur. Kemi marrë udhërrëfyesin për liberalizim të vizave dhe besoj se vitin e ardhshëm qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë lirshëm dhe pa viza në vendet e BE-së, ashtu si edhe të gjithë qytetarët e tjerë të rajonit.
 
Kemi marrë studimin e fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe thellësisht besojmë se rruga jonë për marrjen e statusit të vendit kandidat do të jetë më e shkurtër se sa e kishin vendet e tjera.
Përkushtimi ynë për të plotësuar të gjitha kushtet dhe kriteret e nevojshme është plebishitar dhe në këtë kemi konsensus të plotë politik dhe nacional për agjendën dhe synimet tona për anëtarësim në BE. 
 
Për t’u dhënë shtytje reformave të nevojshme, pranë zyrës se Presidentes kam krijuar dy Këshilla Kombëtarë, me miratimin dhe përkrahjen e të gjithë faktorëve relevantë.
 
Me qëllim të koordinimit, harmonizimit dhe bashkërendimit të të gjitha veprimeve dhe aktiviteteve institucionale dhe të shoqërisë, janë funksionalizuar Këshilli Kombëtar për Integrime Evropiane dhe Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit.
 
Kosova është shtet qytetar dhe demokratik, ku të gjithë njerëzit, pa dallim, kanë të drejtat dhe liritë e barabarta. Kosova është vend i rendit dhe i sundimit të ligjit dhe ne po bëjmë përpjekje dhe po ndërmarrim të gjitha veprimet për çrrënjosjen e korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Kosova nuk është vend burimi por vend transit i dukurive të këqija dhe për të qenë më të suksesshëm, Kosova duhet të jetë vend anëtar i gjitha mekanizmave rajonal dhe evropian të sigurisë.
 
Republika e Kosovës po ndjekë politikat e fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Republikën e Serbisë, me të cilën kemi zhvilluar procesin e dialogut në Bruksel dhe kemi arritur shtatë marrëveshje që lehtësojnë jetën e qytetarëve të të dyja vendeve dhe relaksojnë marrëdhëniet e përgjithshme në rajon.
 
Dialogun e shohim të vetmen mundësi që të zgjidhim të gjitha çështjet dhe të normalizojmë plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve. Do të dëshironim që Bashkimi Evropian si lehtësues të gjejë mekanizma efikas për mbikëqyrjen dhe garantimin e zbatimit të këtyre marrëveshjeve, që do të përcaktonte edhe nevojën e vazhdimit të mëtejmë të dialogut.
 
Kosova po hyn në një fazë të re të zhvillimit të saj. Grupi Drejtues Ndërkombëtar, vlerësoi se janë arritur të gjitha kushtet për të përmbyllur fazën e mbikëqyrjes së pavarësisë. Kjo është një e arritur e përbashkët e qytetarëve, institucioneve të Kosovës dhe e bashkësisë ndërkombëtare. Ne do të vazhdojmë, edhe pas përmbylljes së fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë, të jemi të përkushtuar ndaj parimeve me të cilat e krijuam shtetin e Kosovës – demokracisë, lirisë dhe barazisë para ligjit për secilin qytetar, pa dallim.
 
Misioni i BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, është duke bërë një punë të mirë, duke gëzuar besimin e qytetarëve të Kosovës dhe ne jemi të interesuar që ky mandat të vazhdohet, edhe pas përfundimit të fazës së pavarësisë së mbikëqyrur duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit, duke respektuar parimet e BE-së për misionet e tilla dhe kërkesën e institucioneve të Kosovës për nevojën e mandatit të këtyre misioneve në vendin tonë.
 
Edhe njëherë e falënderojmë Presidentin Barroso për përkushtimin dhe angazhimin personal në çështjen e Kosovës.
 
Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Baroso, u përgjigjën në pyetjet e gazetarëve, për vazhdimin e dialogut dhe për gjendjen në tri komunat e veriut të Kosovës dhe për integrimin e komunitetit serb në institucionet e Republikës së Kosovës.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.