DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga u takua me Presidentin e Bullgarisë, Rosen Plevneliev

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga u takua sot me Presidentin e Bullgarisë, Rosen Plevneliev, të cilin e falënderoi për ndihmën që vendi i tij po i jep Kosovës në veçanti në pjesëmarrjen e saj në nismat dhe organizatat rajonale.

Presidentja Jahjaga tha se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë duhet  të thellohet në të gjitha fushat, përfshirë atë të ekonomisë dhe të investimeve. Ajo tha se Bullgaria mund të ndihmojë Kosovën në procesin e integrimeve evropiane përmes përvojës së saj, si dhe në anëtarësimin në Partneritetin për Paqe të NATO-s. Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka bërë përparim në rrugën e saj të integrimeve evropiane me marrjen e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave dhe studimin e fizibilitetit dhe vlerësoi se ndihma e Bullgarisë në këto dy procese është e nevojshme. Ajo tha se për Kosovën është me rëndësi arritja e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, meqë kjo do të hapte mundësi të reja për Kosovën në fushën e investimeve të huaja dhe të zhvillimit të saj ekonomik. Duke folur për përmbylljen e e fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, Presidentja Jahjaga tha se ky është një sukses i përbashkët i institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës dhe i bashkësisë ndërkombëtare dhe theksoi se Kosova si shtet i pavarur dhe sovran i ka marrë të gjitha përgjegjësitë në duart e saj duke garantuar të gjitha të drejtat për të gjitha komunitetet. Ajo tha se Republika e Kosovës është shndërruar në faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe promovuese e fqinjësisë së mirë. Presidentja Jahjaga theksoi se Republika e Kosovës është e interesuar që të vendos marrëdhënie të mira fqinjësore edhe me Republikën e Serbisë, duke kërkuar që ajo ta njoh realitetin e Kosovës dhe të heq dorë nga mbështetja e strukturave ilegale dhe kriminale në veri të vendit. Presidentja Jahjaga tha se institucionet e Kosovës janë të gatshme që të dialogojnë me qytetarët serbë të Republikës së Kosovës, në tri komunat në veri të vendit, me qëllim të inkuadrimit të tyre në institucionet e Kosovës. Presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevneliev, i vlerësoi shumë të mira marrëdhëniet ndërmjet Bullgarisë dhe Kosovës dhe theksoi se vendi i tij është i gatshëm që ta ndihmojë Kosovën në të gjitha proceset e saj demokratike dhe në procesin e integrimeve evropiane. Ai tha se rajoni i Ballkanit ka perspektivë të qartë evropiane dhe se Bullgaria e Kosova duhet të zhvillojnë marrëdhënie intensive në fuqizimin e bashkëpunimit rajonal dhe të rëndësisë që i kanë këto dy shtete. Presidenti Plevneliev tha se Bullgaria është e hapur për bashkëpunim të gjithanshëm me Kosovën në veçanti në zhvillimin ekonomik dhe në fushën e investimeve. Presidenti bullgar tha se vendi i tij do të angazhohet edhe më tej që ta ndihmojë Kosovën në përfaqësim në nismat rajonale dhe në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare.   

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.