DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga u takua me presidenten e Konfederatës së Zvicrës, Simonetta Sommaruga

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u prit sot në Bernë nga Presidentja e Konfederatës së Zvicrës, zonja Simonetta Sommaruga, në kuadër të vizitës zyrtare në Zvicër.

Presidentja Jahjaga dhe Presidentja Sommaruga biseduan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, me theks të posaçëm në shtimin e investimeve të afaristëve nga Zvicra në Kosovë, që do të mundësojë edhe hapjen e vendeve të reja të punës. Ato biseduan edhe për zhvillimet e tjera në Kosovë, migrimin ilegal dhe sundimin e ligjit, si dhe perspektivën integruese të vendit. Presidentja Jahjaga tha se Kosova po punon në krijimin e një klime të sigurt të biznesit dhe po bën përpjekje të vazhdueshme për të vendosur sundimin e ligjit dhe një shtet të së drejtës që mundëson edhe zhvillimin ekonomik të vendit. Presidentja Jahjaga tha se ndihma e Zvicrës është e rëndësishme për Kosovën, marrë parasysh edhe një numër të madh të qytetarëve të Kosovës që janë shtetas të Zvicrës dhe që po e ndihmojnë vendin e tyre.Presidentja Somaruga ndërkaq e vlerësoi të domosdoshme shkëmbimin e vizitave që shënon vazhdimësi të bashkëpunimit. Ajo vlerësoi se Kosova dhe Zvicra kanë një marrëdhënie shumë të mirë ndërmjet vete dhe këtë duhet shfrytëzuar për të ndihmuar edhe shtrirjen e bashkëpunimit në çdo fushë e në veçanti në fushën ekonomike. Të dyja presidentet diskutuan edhe për mundësinë e krijimit të një fondi të përbashkët ndërmjet dy vendeve që do të ndihmonte në zhvillimin ekonomik të Kosovës.Të dyja presidentet mbajtën një konferencë me gazetarë.Po e sjellim në vijim deklaratën e Presidentes Jahjaga:Jam e nderuar që sot jam mirëpritur këtu në Bernë nga presidentja e Konfederatës së Zvicrës, zonja Simonetta Sommaruga. Dy vendet tona kanë një histori të gjatë të miqësisë dhe të bashkëpunimit dhe lidhjet mes dy vendeve tona janë të pashkëputshme, meqë një numër i madh i bashkatdhetarëve tanë janë ndihmuar e strehuar në Zvicër në periudhën më të rëndë të historisë së Kosovës dhe ata sot janë qytetarë të integruar në shoqërinë e Zvicrës, jetojnë e punojnë me dinjitet, si dhe janë një urë e fuqishme e lidhjes mes dy vendeve tona.Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, i shpreha Presidentes Sommaruga falënderimin  e thellë për gjithë ata burra dhe gra nga Zvicra që për vite tëra kanë kontribuuar në kuadër të forcës paqeruajtëse të KFOR-i për paqe dhe stabilitet në Kosovë.Gjithashtu i shpreha mirënjohjen e thellë për ndihmën që Zvicra vazhdon t’i japë Kosovës në rrugën e shtetndërtimit dhe të avancimit të proceseve demokratike, me synimin për t’u bërë pjesë e barabartë e komunitetit ndërkombëtar.Biseduam sot për çështje të ndryshme të interesit tonë të përbashkët dhe mbi të gjitha për hapjen e mundësive për investime të drejtpërdrejta në Kosovë, që do të ndihmojnë zhvillimin ekonomik të vendit dhe gjithashtu do të hapin perspektivën për qytetarët tanë.Zvicra është një ndër katër vendet evropiane që ka investuar më së shumti në Kosovë dhe marrë parasysh edhe numrin e madh të bashkatdhetarëve tanë që jetojnë sot në këtë vend, thellimi dhe zgjerimi i bashkëpunimit në fushën e ekonomisë do të ishte e një rëndësie të veçantë për të dyja vendet.Kemi hapur çështje të ndryshme për diskutim në mesin e të cilave edhe atë të migrimit ilegal të qytetarëve nga Kosova. Zvicra është ndër pak vende që ka pasur më së paku kërkesa për azil nga qytetarët e Kosovës gjatë tre muajve të fundit. U pajtuam për një bashkëpunim të ngushtë në procesin e riatdhesimit të të gjithë atyre azilkërkuesve nga Kosova, të cilët fatkeqësisht kanë rënë pre e grupeve kriminale, të cilat kanë përfituar nga fatkeqësia e tyre. Institucionet e Kosovës po punojnë në ringjalljen e ekonomisë, në krijimin e një klime të mirë të biznesit që do të tërheqë investimet e huaja, duke mundësuar hapjen e vendeve të punës dhe gjithashtu do të rikthejë edhe perspektivën e tyre në vend.Kosova sot ka nevojë për një mbështetje nga vendet mike dhe gjithashtu për një përkrahje të fuqishme në rrugën e saj të integrimeve evropiane. Kosova është sot një vend i stabilitetit dhe paqes në rajon dhe i fqinjësisë së mirë, kontribuuese e fuqishme e sigurisë jo vetëm brenda vendit, por edhe asaj rajonale dhe më gjerë.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.