presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga u takua me kryetarin e Parlamentit të Hungarisë, Laslo Kover

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, në ditën e dytë të vizitës shtetërore në Hungari, pati sot një takim të gjatë me kryetarin e Parlamentit të Hungarisë, Laslo Kover.

Kryetari i Parlamentit hungarez vlerësoi marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve dhe në veçanti bashkëpunimin mes Parlamentit të Hungarisë dhe Kosovës. Ai tha se vendi i tij është i gatshëm që ta ndihmojë Kosovën në fushën e legjislativit, posaçërisht në procesin e përgatitjes dhe miratimit të ligjeve në përputhje me standardet evropiane. Zotëri Kover tha se Hungaria gjatë rrugës së saj të integrimit në BE ka pasur një model tjetër kurse Kosova mund të marrë shembullin dhe përvojën e Hungarisë në rrugën e integrimit në BE. Ai tha se procesi i integrimit në BE i vendeve të Ballkanit duhet të vazhdojë dhe vendet që aspirojnë integrimin duhet të përmbushin kriteret dhe kushtet e përcaktuara. Kover shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të ndihmuar Kosovën në marrjen e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave dhe u angazhua për ndihmë Kosovës në proceset integruese. Kryetari i Parlamentit të Hungarisë theksoi se marrëdhëniet fqinjësore janë të rëndësishme në rrugën e integrimeve dhe tha se Kosova dhe Serbia duhet të zgjidhin çështjet e hapura mes tyre gjë që do të ndihmonte në përafrimin e të dyja vendeve me BE-në. Ai tha se Kosova në shumë aspekte ka shënuar përparime dhe në veçanti në përcaktimin e të drejtave të komuniteteve, që janë përfshirë edhe në Kushtetutën e saj. Zotëri Kover tha se Hungaria dhe Kosova duhet të zgjerojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat, me theks të veçantë në atë të zhvillimit ekonomik. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, duke e falënderuar kryetarin e Parlamentit hungarez për mikpritjen, vlerësoi marrëdhëniet miqësore me Hungarinë dhe tha se bashkëpunimi ndërparlamentar është i rëndësishëm. Presidentja Jahjaga tha se Kosova në rrugën drejt integrimeve evropiane është e obliguar që të miratojë një varg ligjesh, të cilën gjë po e bën dhe e cila po monitorohet nga Komisioni Evropian, në raportin e progresit për Kosovën. Ajo tha se në këtë rrafsh Kosova ka ndihmën e vendeve të caktuara dhe të ekipeve profesionale që punojnë me Kosovën dhe për këtë ka nevojë edhe për ndihmën e Parlamentit të Hungarisë.   Presidentja Jahjaga tha se është e nevojshme që komisionet parlamentare të të dyja vendeve të vizitohen dhe të shkëmbejnë përvojat dhe sidomos është e nevojshme që të ndihmohet Kosova në kontrollin parlamentar të qeverisë dhe në standardizimin e ligjeve me ato të BE-së. Ajo tha se Kosova është shtet i ndërtuar në parimin qytetar dhe ka demokraci parlamentare. Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka garantuar të drejtat e komuniteteve me Kushtetutën e saj dhe vlerësoi se Plani Ahtisaari ofron zgjidhjen më të mirë për të drejtat e komunitetit serb në Kosovë. Ajo tha se komunitetet në Kosovë janë të përfaqësuara në Kuvend, në qeveri dhe në të gjitha institucionet e vendit. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, tha se dialogu me Serbinë është rruga më e mirë për zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet dy shteteve por tha se zgjidhjet duhet të jenë evropiane. Ajo theksoi se e ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë është në BE, si dy shtete të pavarura dhe në këtë rrugë duhet ta ndihmojnë njëra-tjetrën. Në takim mori pjesë edhe ambasadorja e Republikës së Kosovës në Republikën e Hungarisë, zonja Shkëndije Sherifi.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.