presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga takoi ministrin e Jashtëm të Gjermanisë Guido Westerwelle

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga takoi ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, zotëri Guido Westerwelle me të cilin diskutuan për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, zhvillimet në tri komunat veriore të Kosovës dhe situatën e përgjithshme politike në vend.

Presidentja Jahjaga tha se institucionet e Kosovës e shohin dialogun teknik me Serbinë si mënyrën e vetme për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve fqinje. Ajo tha se përmes dialogut janë arritur një numër marrëveshjesh që adresojnë brengat e qytetarëve të të dyja vendeve dhe kërkoi që ato të zbatohen në tërësi, duke respektuar praktikat më të mira evropiane. Presidentja Jahjaga tha se procesi i dialogut përfiton me garantimin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura nga Bashkimit Evropian.  Ajo tha se është me rëndësi që dialogu të vazhdojë duke respektuar përfaqësimin e Republikës së Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, në të gjitha marrëveshjet e arritura. Presidentja Jahjaga theksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të kryer obligimet e tyre ndaj Planit të Ahtisaarit në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, me qëllim të përmbylljes me sukses të fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Ministri Westerwelle shprehu përkrahjen e Gjermanisë për Republikën e Kosovës në konsolidimin e mëtejshëm të saj në skenën ndërkombëtare, agjendën e saj evropiane dhe vazhdimin e dialogut teknik. Ai inkurajoi bashkërendimin dhe bashkëpunimin e përfaqësuesve dhe liderëve të Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare në avancimin e proceseve demokratike dhe sigurimin e lirisë së plotë të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, si një vlerë evropiane.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.