Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim drejtorin menaxhues për Evropën dhe Azinë Qendrore në Shërbimin Evropian të Punëve të Jashtme, z. Miroslav Lajçak.
Presidentja Jahjaga tha fillimisht në takim se mirëpret fillimin e dialogut për liberalizim të vizave, duke e quajtur këtë një sinjal për qytetarët e Kosovës se Kosova nuk do të lihet jashtë dhe i vetmi vend i izoluar në rajon. Presidentja tha se ky proces duhet të pasohet edhe me përparime të tjera në fusha të tjera, në veçanti në vendosjen e marrëdhënies kontraktuale me BE-në, duke gjetur mënyrën se si të tejkalohen problemet politike të shkaktuara nga mosnjohja e Kosovës nga 5 vende anëtare të BE-së. Përfundimi i procesit të mbikëqyrjes së pavarësisë është sukses i përbashkët i bashkësisë ndërkombëtare, institucioneve ë Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës, tha në vijim Presidentja Jahjaga.Ajo shtoi se institucionet e Kosovës do të kryejnë të gjitha obligimet e tyre kushtetuese dhe do të marrin përsipër detyrat e tjera që do të ndihmonin largimin e suksesshëm të Zyrës Civile Ndërkombëtare deri në fund të këtij viti. Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që së bashku me partnerët ndërkombëtarë të zbatojnë Kushtetutën dhe ligjet e vendit në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe në tri komunat në veri të vendit, tha ajo. Presidentja Jahjaga tha se integrimi i serbëve të Kosovës ka qenë i suksesshëm në pjesën më të madhe të vendit, përveç në tri komunat në veri. E vlerësojmë situatën në këtë pjesë të vendit si një çështje të rendit dhe të ligjit, ku strukturat kriminale të mbështetura edhe nga Serbia, po i pengojnë institucionet e vendit dhe po i mbajnë peng qytetarët serbë të cilët duan një jetë normale, tha Presidentja Jahjaga . U kemi bërë thirrje autoriteteve të Serbisë që të ndalojnë me mbështetjen e këtyre strukturave dhe i kemi bërë thirrje komunitetit serb që të bashkëpunojë me autoritetet e Kosovës në zbatimin e Planit Ahtisaari që garanton të gjitha të drejtat e tyre. Plani Ahtisaari është e vetmja rrugë përpara dhe nuk ka Ahtisaari Plus ose çfarëdo statusi special për këtë pjesë të Kosovës, tha Presidentja Jahjaga. Presidentja Jahjaga shtoi në takim se dialogun me Serbinë autoritetet e Kosovës e kanë mbështetur që nga fillimi si një rrugë për zgjidhjen e çështjeve të mbetura ndërmjet dy vendeve dhe që do të kontribuonte në relaksimin e marrëdhënieve ndërmjet qytetarëve dhe autoriteteve të të dyja shteteve. Si pjesë e dialogut kemi arritur një numër marrëveshjesh që shërbejnë në interes të të dyja vendeve, megjithëse ka disa vështirësi në zbatimin e tyre. Moszbatimi i marrëveshjeve nga ana e Serbisë po shkakton tensione të reja në Kosovë dhe po e dëmton legjitimitetin e institucioneve, tha ajo.Bëj thirrje që procesi i dialogut të jetë më transparent dhe me llogaridhënie dhe që BE-ja të veprojë jo vetëm si lehtësues i dialogut por edhe si garantuese e marrëveshjeve që arrihen gjatë këtij procesi, tha ndër të tjera Presidentja Jahjaga. Drejtori menaxhues për Evropën dhe Azinë Qendrore në Shërbimin Evropian të Punëve të Jashtme, z. Miroslav Lajçak, duke përshëndetur konkluzionet e Grupit Drejtues Ndërkombëtar, tha që ky është lajm i mirë për progresin që ka bërë Kosova dhe ritheksoi përkushtimin e BE-së për të vazhduar përkrahjen për Kosovën në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.Ai, po ashtu, theksoi se bashkëpunimi rajonal është shumë i rëndësishëm dhe BE është e interesuar që të shohë një rol aktiv të Kosovës në këtë bashkëpunim.Z. Lajçak shtoi se dialogu i Kosovës me Serbinë është i rëndësishëm për të dyja vendet dhe shprehu interesimin e tij për implementimin e marrëveshjeve që dalin nga ky proces.