Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim sportisten Majlinda Kelmendi.
Presidentja Jahjaga e përgëzoi Majlinda Kelmendin për sukseset e saj të vazhdueshme në xhudo dhe në veçanti për suksesin e fundit në “Judo Swiss Open”, turne ndërkombëtar i nivelit të Kupës Evropiane, ku fitoi medaljen e artë.
Presidentja Jahjaga i dha përkrahje të plotë Majlinda Kelmendit për përfaqësimin e saj në Olimpiadën që mbahet në Londër këtë vit.
Sportistja e njohur nga Kosova, Majlinda Kelmendi e falënderoi Presidenten për përkrahjen e saj dhe për angazhimin që ajo të përfaqësohet n ë lojërat Olimpike në Londër. Ajo i dhuroi Presidentes një bluzë më mbishkrimin “Kosova në Olimpiadë”
Në fjalën e saj në takim me Majlinda Kelmendin, Presidentja Jahjaga tha:
“Të përgëzoj për sukseset e arritura. Këto janë gëzim dhe sukses për ty, por janë sukses dhe krenari edhe për Kosovën. Më mirë se secila lëmi tjetër, sporti përçon mesazhet e garës, konkurrencës, paqes dhe mirëkuptimit në mes njerëzve.
Ti e përçon emrin e Kosovës kudo që shkon dhe ne ndjehemi mirë kur i shohim sukseset tua. Ti je e re, por dallohesh me një vullnet të çeliktë, me një përkushtim, me një qëndrim shumë profesional të punës, që e dëshmon se përveç talentit është edhe puna ajo që i tregon rezultatet.
Unë do të angazhohem që të gjejmë formën institucionale për të mbështetur dhe përkrahur. Pjesëmarrja e Kosovës në Olimpiadë do të ishte një ngjarje e jashtëzakonshme. Pjesëmarrja jote dhe e sportisteve të kalibrit tënd do t’i bënte nder vendit tonë dhe sportit në përgjithësi”, tha Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga.