DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga priti një delegacion të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot një delegacion të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (TKPK) , të udhëhequr nga kryetari i Bordit, Ymer Havolli.

Drejtuesit e TKPK-së e njoftuan Presidenten Jahjaga për punën dhe angazhimet e Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, një institucion i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës, i cili menaxhon një pasuri prej mbi gjysmë miliardë euro.
 
Ata theksuan vështirësitë me të cilat përballet ky institucion, sikur edhe të gjitha institucionet e tjera financiare, si pasojë e krizës ekonomike globale. Përkundër këtyre sfidave, sipas drejtuesve të Trustit, ky institucion ka arritur jo vetëm të ruajë, por edhe të shtojë vlerën e mjeteve nën menaxhimin e këtij institucioni, duke e përmbyllur vitin 2011 me rezultat pozitiv.
 
Presidentja Jahjaga theksoi se përcjell me vëmendje zhvillimet në raport me Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës ashtu si edhe zhvillimet e përgjithshme ekonomike në vend dhe në botë.
 
Ajo i përgëzoi drejtuesit e Trustit për rezultatin pozitiv duke shtuar se është e vetëdijshme për vështirësitë që ka sjellë për ekonominë dhe bizneset e Kosovës kriza financiare dhe ekonomike që e ka kapluar botën.
 
Presidentja Jahjaga shtoi se Trusti Pensional ka barrën e ruajtjes së pasurisë së njerëzve për të cilën ata investojnë pjesën më të mirë të jetës së tyre dhe kjo natyrisht e shton peshën e përgjegjësisë për të menaxhuar sa më mirë dhe sa më kujdesshëm këto mjete.

This site is registered on wpml.org as a development site.