Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim profesorin në universitetin amerikan Johns Hopkins, zotëri Daniel Serwer.
Presidentja Jahjaga e njoftoi z. Serwer me zhvillimet aktuale në Kosovë, proceset nëpër të cilat po kalon vendi dhe për konsolidimin e shtetësisë si dhe me procesin e integrimeve evropiane. Presidentja Jahjaga dhe zotëri Serwer biseduan edhe për përfaqësimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare, për zhvillimin ekonomik si dhe theksuan rëndësinë e thellimit të reformave në vend, që janë të domosdoshme për integrimin euro-atlantik të Kosovës.