Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga priti sot në takim ndihmëssekretaren e shtetit të SHBA-ve për Evropë dhe Azi, ambasadoren Victoria Nuland, me të cilën diskutoi për përparimet e Kosovës dhe zhvillimet aktuale në vend dhe rajon.
Presidentja Jahjaga e falënderoi ndihmëssekretaren Nuland për përkrahjen e jashtëzakonshme të SHBA-së për të çimentuar paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon dhe ka inkurajuar përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-ve për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian dhe NATO.Presidentja Jahjaga tha se me angazhimin në dialogun intensiv me Republikën e Serbisë, Republika e Kosovës do që të krijojë normalizim dhe të forcojë sovranitetin e saj. Presidentja theksoi se progresi i arritur deri tani është i rëndësishëm por që zbatimi i marrëveshjeve të arritura me ndihmën e BE-së janë faktor kyç, përshirë edhe largimin e barrikadave që janë pengesë serioze në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet dy vendeve.Presidentja Jahjaga ka siguruar ndihmëssekretaren Nuland se dialogu me Serbinë do të vazhdojë të jetë prioritet dhe ka theksuar nevojën e kushtëzimit të rrugës së Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së me përparimin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.Presidentja Jahjaga gjithashtu ka adresuar sfidën e sigurisë që paraqet radikalizmi për Kosovën dhe rajonin, por tha se Kosova i është përgjigjur me konstruktivitet duke ndërmarrë hapa të fuqishëm ligjor dhe të sigurisë për të mposhtur këtë kërcënim dhe se shumica e qytetarëve të Kosovës janë kundër këtij fenomeni negativ. Kosova nuk do të jetë vend i sigurt ose rrugë tranzitore për këto elemente dhe do të punojmë në partneritet të ngushtë me aleatët tonë për të adresuar këto kërcënime.Sa i përket formimit të Qeverisë së re, Presidentja Jahjaga ka vlerësuar lartë përfundimin e suksesshëm të procesit zgjedhor në Kosovë dhe tha se ajo është e përkushtuar të veprojë si faktor uniteti për të siguruar funksionimin demokratik të institucioneve në një proces kredibil, transparent dhe gjithëpërfshirës duke theksuar që institucionet e reja duhet të shtyjnë përpara Kosovën dhe agjendën drejt BE-së.Ndihmëssekretarja Nuland ritheksoi përkrahjen e fuqishme të Qeverise Amerikane për Kosovën dhe përpjekjet e saj drejt integrimit më të gjerë Euro-Atlantik. Ajo theksoi rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi dhe progresin e implementimit të marrëveshjes për normalizim të arritur në Bruksel më 19 Prill 2013. Ajo mirëpriti vlerësimet e Presidentes në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe korrupsionit dhe u pajtua në nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR