presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga priti ministrin për çështje evropiane të Danimarkës, Nicolai Wamman

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim ministrin për çështje evropiane të Danimarkës, Nicolai Wamman.

Presidentja Jahjaga dhe ministri Wammen biseduan për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve, për proceset demokratike nëpër të cilat po kalon Kosova, thellimin e reformave të brendshme, për procesin e integrimeve euroatlantike, si dhe për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja. Presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës në veçanti në fushën e zhvillimit ekonomik. Ajo tha se është e rëndësishme ndihma e Danimarkës për procesin e integrimit euroatlantik të Kosovës dhe të gjithë rajonit të Evropës Juglindore, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të procesit të zgjerimit të BE-së. Presidentja Jahjaga tha se raporti i studimit të fizibilitetit ka hapur një kapitull të ri të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Ajo më tej theksoi se institucionet e Kosovës do t’i përmbushin me kohë të gjitha obligimet afatshkurtra dhe është me rëndësi që Kosova së shpejti të fillojë negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Presidentja Jahjaga theksoi se dialogu, i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, është rruga e vetme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve dhe theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura në këtë proces. Ministri Nicolai Wammen theksoi se marrëdhëniet ndërmjet Danimarkës dhe Kosovës janë të shumë të mira dhe tha se vendi i tij i jep mbështetjen e plotë të gjitha proceseve nëpër të cilat po kalon Kosova. Ai tha se është me rëndësi thellimi i reformave në vend dhe theksoi se perspektiva evropiane për të gjitha vendet e rajonit të Evropës Juglindore, përfshirë edhe Kosovën, është e qartë. Ministri Wammen i dha përkrahje dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë meqë tha se kjo do të ndihmonte në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.