Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Letonisë z. Edgars Rinkevics.
Presidentja Jahjaga dhe ministri Rinkevics biseduan për zhvillimet e përgjithshme në Kosovë si dhe për bashkëpunimin bilateral midis dy vendeve, ku u theksua rëndësia e thellimit të bashkëpunimit dhe të mbështetjes për Kosovën sidomos në proceset e integrimit në strukturat veri-atlantike. Presidentja Jahjaga theksoi se prioritet për institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës është sundimi i rendit dhe ligjit, luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit si dhe zhvillimi ekonomik i vendit. Ajo nënvizoi se përkundër sfidave, Kosova sot promovon paqen dhe stabilitetin në rajon dhe ky është sukses i përbashkët i institucioneve, qytetarëve të Kosovës dhe miqve ndërkombëtarë. Presidentja Jahjaga diskutoi me Ministrin Rinkevics edhe perspektivën evropiane të Kosovës, përfshirë nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociim gjatë verës dhe përmbushjen e kushteve për liberalizim të vizave. Njëri ndër kushtet e mbetura është edhe arritja e marrëveshjes për riatdhesim midis Republikës së Kosovës dhe Letonisë. Sa i përket themelimit të Gjykatës Speciale, Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova është në proces e sipër të përmbylljes së kësaj përgjegjësie dhe këtij obligimi ndërkombëtar.Presidentja Jahjaga dhe ministri i Punëve të Jashtme të Letonisë z. Edgars Rinkevics, biseduan edhe për dialogun midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Ata theksuan se në këtë proces përpos arritjes së marrëveshjeve, për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve, është shumë i rëndësishëm angazhimi konkret për implementimin e tyre në praktikë. Ata u pajtuan që zbatimi i këtyre marrëveshjeve të jetë parakusht për procesin e integrimit të Serbisë në BE. Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Letonisë z. Edgars Rinkevics shprehu përkushtimin e vendit të tij për të vazhduar bashkëpunimin dhe mbështetjen për institucionet dhe qytetarët e Kosovës në të gjitha sferat me interes dypalësh.