presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga priti ministren e jashtme të Kroacisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti në një takim ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Kroacisë, zonjën Vesna Pusiq e cila ka ardhur në Kosovë si e ftuar e Presidentes në Samitin Ndërkombëtar të Gruas, që po mbahet në Prishtinë.

Presidentja Jahjaga i shprehu ministres së Jashtme kroate ngushëllimet më të thella të saj dhe të popullit të Kosovës për ndarjen nga jeta të kryetarit të Parlamentit të Republikës së Kroacisë, duke vlerësuar kontributin e tij në përparimin e Kroacisë dhe në zhvillimin e marrëdhënieve miqësore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë. Presidentja Jahjaga e falënderoi ministren Pusiq për ndihmën dhe përkrahjen që po e jep vazhdimisht Republika e Kroacisë për Republikën e Kosovës, si në planin e brendshëm ashtu edhe në arenën ndërkombëtare duke kërkuar një bashkëpunim më të ngjeshur në të gjitha fushat sidomos në ekonomi. Ajo theksoi se është i nevojshëm avancimi i marrëdhënieve bilaterale dhe  mbështetja e Kroacisë për pjesëmarrjen e anëtarësimin e Kosovës si shtet në organizatat dhe mekanizmat rajonal, evropian dhe ndërkombëtarë. Ministrja e Republikës së Kroacisë, zonja Vesna Pusiq, e falënderoi Presidenten e Kosovës për ftesën dhe për kontributin në avancimin dhe në forcimin e pozitës së gruas. Ajo theksoi se marrëdhënien ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës janë shumë të mira dhe po zhvillohen vazhdueshëm në interes të bashkëpunimit dhe të paqes e të sigurisë dhe të stabilitetit në rajon. Presidentja Jahjaga dhe ministrja e Jashtme kroate Pusiq, pas takimit dolën në manifestimin e organizuar nga gratë kosovare për luftën kundër kancerit të gjirit në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.