presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga priti kryetarin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Durao Barroso dhe Komisionerin Stefan Füle

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në një takim kryetarin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Durao Barroso dhe Komisionerin Stefan Füle.

Z. Barroso e përgëzoi Presidenten Jahjaga për zgjedhjen e saj në krye të vendit dhe shprehu besimin se Presidentja do të ketë rol të rëndësishëm në afrimin e Kosovës drejt BE-së.  Ai tha se Kosova tash e ka mundësinë më të mirë për progres nëpërmjet reformave të brendshme. Në veçanti, reformat në fushën e sundimit të ligjit, ngritjes së bashkëpunimit në mes të Qeverisë dhe Kuvendit në hartimin dhe adoptimin e ligjeve dhe sigurimi i reformës së ligjit zgjedhor, duke përfshirë sanksionimin e shkelësve të ligjit, janë prioritete. Zbatimi i reformave të brendshme është i rëndësishëm edhe për fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave.Në sferën e sundimit të ligjit z. Barroso tha se në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, BE-ja i jep mbështetje të plotë misionit të EULEX-it në Kosovë dhe inkurajoi që institucionet e Kosovës ta bëjnë të njëjtën. Ai shtoi se shtetet anëtare të BE-se i kushtojnë rëndësi të veçantë dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke cekur se normalizimi i marrëdhënieve të fqinjësisë është një prej kushteve themelore në rrugën e Kosovës dhe Serbisë drejt Bashkimit Evropian.   Në fund z. Barroso e ftoi Presidenten Jahjaga në vizitë zyrtare në Bruksel. Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e falënderoi z. Barroso për vizitën duke thënë se është e përkushtuar të punojë me institucionet dhe shoqërinë në fushën e rendit dhe të ligjit, me qëllim të arritjes së rezultateve efektive në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Presidentja konfirmoi se qëllimi i saj është të shtyjë përpara agjendën evropiane në Kosovë. Ajo kërkoi heqjen e referencës 1244 ndaj Kosovës nga ana e Brukselit si dhe domosdoshmërinë e fillimit të marrëveshjeve  kontraktuale me BE-në. Marrja e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave do të ndihmonte agjendën evropiane të Kosovës dhe reformat e brendshme. Presidentja Jahjaga shtoi se procesi i ndryshimeve kushtetuese dhe ndryshimit të ligjit zgjedhor do të vazhdojë. Ajo konfirmoi se dialogu Kosovë-Serbi është i rëndësishëm.Në fund, Kryetari i Komisionit Evropian z. Barroso dhe Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga u pajtuan se në muajt e ardhshëm pritet punë intensive për avancimin e agjendës evropiane nga ana e institucioneve të Kosovës.    

This site is registered on wpml.org as a development site.