presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga priti kryeprokuroren e Shqipërisë, Ina Rama

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim kryeprokuroren e Shqipërisë, zonjën Ina Rama.

Presidentja Jahjaga e përgëzoi zonjën Rama për punën që po bën në krye të prokurorisë së shtetit të Shqipërisë, dhe angazhimin e saj në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe shkeljeve të tjera të ligjit.
 
Ajo tha se Kosova dhe Shqipëria  kanë nevojë të shkëmbejnë përvojat me njëra-tjetrën në fushën e drejtësisë dhe se kanë çka të mësojnë nga njëra-tjetra.
 
Zonja Jahjaga tha se ajo i jep mbështetje të plotë të gjitha reformave në gjyqësi dhe në prokurori, në arritjen e standardeve më të larta në politikën e kuadrove, që prokurorë dhe gjyqtarë të emërohen njerëzit që gëzojnë respektin e mesit ku punojnë, që kanë integritet dhe që janë të dëshmuar për vendosmërinë dhe kurajën profesionale dhe njerëzore.
 
Natyra e krimeve transkufitare nuk është vetëm sfidë e Shqipërisë dhe e Kosovës, por është sfidë e gjithë rajonit, tha Presidentja Jahjaga. Nisur nga kjo, tha ajo, është i rëndësishëm anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat rajonalë dhe ndërkombëtarë të sigurisë.
 
Kryeprokurorja e Shqipërisë, zonja Ina Rama tha se përpjekja për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit kërkon bashkëpunim dhe Kosova dhe Shqipëria tashmë kanë bashkëpunim në nivel të kryeprokurorive, që duhet të forcohet edhe më tutje.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.