presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga priti komandantin e forcës paqeruajtëse të NATO-s, KFOR, gjeneralin Erhard Drews

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim komandantin e forcës paqeruajtëse të NATO-s, KFOR, gjeneralin Erhard Drews.

Presidentja Jahjaga e njoftoi gjeneralin Drews për fillimin e takimeve me drejtues të institucioneve dhe të mekanizmave të sigurisë, ata vendorë dhe ndërkombëtarë, në bazë të kompetencave të saj kushtetuese e ligjore, në përpjekje për të bashkërenduar veprimet institucionale. Ajo tha se takimet që po zhvillon po bëhen me qëllim të vlerësimit të situatës së sigurisë në Republikën e Kosovës, pas sulmit me bombë që ndodhi fund javën e kaluar në Mitrovicë.  Presidentja Jahjaga theksoi se ndihma e forcës paqeruajtëse KFOR është e nevojshme për të vendosur rendin dhe qetësinë dhe për të ndihmuar qytetarët serbë në tri komunat në veriut të Kosovës që të jetojnë të lirë dhe pa frikë nga strukturat kriminale dhe ilegale që po veprojnë në këtë pjesë të territorit të Kosovës. Komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Drews, theksoi se forca paqeruajtëse në Kosovë do të vazhdojë të përmbushë mandatin e saj të ruajtjes së mjedisit të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, një ditë më parë ka takuar edhe drejtues të tjerë të institucioneve dhe të mekanizmave të sigurisë, vendorë dhe ndërkombëtarë, me qëllim të vlerësimit të situatës së sigurisë në Kosovë. Ajo ka takuar ministrin e Punëve të Brendshme, zotëri Bajram Rexhepi, ministrin e Forcës së Sigurisë, zotëri Agim Çeku, drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës, zotëri Bashkim Smakaj, zëvendës shefin e misionit të BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, zotëri Andy Sparkes dhe zëvendës shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), zotëri Christopher Rowan. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.