presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga priti guvernatorin e shtetit të Iowa-s, në SHBA, Terry Branstad

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot guvernatorin e shtetit të Iowa-s, në SHBA, zotëri Terry Branstad, me të cilin nënshkroi një Marrëveshje të Partneritetit për Shtetet Simotra ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të Iowa-s.

Presidentja Jahjaga dhe guvernatorit Branstad, në një bisedë miqësore vlerësuan bashkëpunimin e madh që Kosova dhe shteti i Iowa-s kanë ndërmjet vete dhe nevojën e thellimit të këtij bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, kulturës, bujqësisë dhe infrastrukturës. Presidentja Jahjaga dhe guvernatori Branstad thanë se marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe shtetit të Iowa-s janë vendosur që prej ndihmës që ky shtet i SHBA-së i ka dhënë Forcës së Sigurisë së Kosovës, por gjithashtu theksuan nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat e tjera. Presidentja Jahjaga tha se partneriteti ndërmjet Kosovës dhe shtetit të Iowa-s do të ndihmojë në shkëmbimin e vlerave dhe të përvojave dhe do t’u ofrojë qytetarëve të Kosovës dhe të shtetit të Iowa-s mundësi më të mëdha. Guvernatori i Iowa-s, zotëri Terry Branstad, tha se është veçanërisht i nderuar që shteti i Iowa-s ka mundësinë që të vendosë marrëdhënie partneriteti me Republikën e Kosovës. Ai tha se Kosova si shtet i ri ka bërë përparime të mëdha dhe vlerësoi se inkurajimi i investimeve të huaja në vend është i një rëndësie të veçantë po aq sa edhe ndihma për afaristët e vendit. Vizita e guvernatorit të Iowa-s në Kosovë është bërë me ftesë të Presidentes së Republikës së Kosovës, pas qëndrimit të saj vitin e kaluar në këtë shtet në SHBA. Presidentja Jahjaga dhe guvernatori Branstad pas takimit të përbashkët dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Partneritetit mbajtën edhe një konferencë me gazetarë.Duke folur në konferencë për media, Presidentja Jahjaga tha:Sot pata kënaqësinë që ta pres në Kosovë dhe në zyrën time guvernatorin e shtetit të Iowa-s të SHBA, zotërinë Terry Branstad së bashku me delegacionin e tij, ndër të cilët edhe komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralin Orr.E konsideroj këtë një vizitë të rëndësishme të thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona, të ndihmës dhe të përkrahjes në edukim, në mjekësi dhe në bujqësi. Ky bashkëpunim do të vazhdojë më tej dhe do të kemi përfitime të bashkëpunimit shkencor dhe ndërmjet instituteve dhe në industrinë e përpunimit dhe në shfrytëzimin e prodhimeve bujqësore në industri.Marrëveshja e Partneritetit për Shtetet Simotra, të cilën e nënshkruam sot, ka një rëndësi të veçantë, pasi krijon mundësi të reja për shkëmbime të eksperiencave dhe përvojave në mes dy vendeve tona, mundësi për zhvillim në fushën ekonomike, fushën e kulturës, të drejtësisë dhe të edukimit. Me anë të këtij partneriteti po krijohen mundësi të reja të thithjes së investimeve, të rritjes së kapaciteteve humane, të shfrytëzimit të potencialit tonë natyror, si dhe të promovimit të vlerave tona të përbashkëta. Me nënshkrimin e këtij partneriteti ne po forcojmë dhe më tej përkushtimin tonë të përbashkët për të zhvilluar marrëdhënie miqësore në mes dy vendeve tona.Falënderova Guvernatorin në emër të institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve të saj, për rolin e rëndësishëm që ai ka luajtur në forcimin e bashkëpunimit në mes dy shteteve tona dhe në nxitjen e partneritetit të vazhdueshëm në fusha të interesit të përbashkët për të dyja vendet tona. Vitin e kaluar, si Presidente e Republikës së Kosovës, në kuadër të vizitës sime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zhvillova një vizitë në shtetin e Iowa-s, një vizitë shumë të frytshme dhe një bashkëbisedim me zyrtarët e administratës, me ekspertët e fushave të ndryshme dhe me qytetarët. I nderuari guvernator i Iowa-s, i nderuari mik i Kosovës, besoj se kudo që të shkoni, kudo që të gjendeni gjatë qëndrimit tuaj këtu në Kosovë, do ta ndjeni dashurinë e madhe të njerëzve, të qytetarëve të Republikës së Kosovës, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shtetin e Iowa-s, do ta ndjeni respektin dhe falënderimin nga zemra për ndihmën që populli amerikan i dha Kosovës për të fituar lirinë dhe për të qenë e pavarur dhe për të ndërtuar demokracinë. Ju siguroj se ideali i etërve që e krijuan Amerikën është frymëzim i përhershëm dhe është një dritë udhërrëfyese edhe për mua por dhe për popullin tim që të ecim përpara drejt të ardhmes.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.